PD – Pak shpresë, shumë zhgënjim

10/11/2014 00:00

ILIR YZEIRI – Ditën e premte, Lulzim Basha, në prani të shumë drejtuesve
të mediave, ripërsëriti një spektakël të njohur, me një mizanskenë të
vjetër, por në një dekor të ri, sepse këtë radhë shfaqja jepej në
ambientet e ish-ShQUP-it të lyer me blu.

Në këtë shfaqje ai i paraqiti publikut koordinatorët e rinj të PD-së, të cilët, sipas tij, janë një frymëzim për PD-në, një vlerë për demokracinë. Personalisht i njoh disa prej tyre dhe në përgjithësi, pajtohem me mendimin se ata, në pjesën më të madhe, janë vërtet të rinj të talentuar, profesionistë të zotë dhe djem e vajza të edukuara, të sjellshëm që nderojnë familjet e tyre dhe rrethin ku bëjnë pjesë.

Aktivizimi i të rinjve në politikë gjithmonë është një vlerë dhe duhet përshëndetur. Shoqëria shqiptare është tejlodhur nga pesha e rëndë e politikës së vjetër dhe e politikanëve pa asnjë vlerë. Të rinjtë duhen inkurajuar dhe nxitur dhe në këtë pikë, unë jam në një mendje me Lulzim Bashën se ata vërtet janë një vlerë e shoqërisë sonë. Por vetëm kaq. Pra, kjo është drita e zbehtë e shpresës, pjesa tjetër është një zhgënjim i thellë.

Ata të rinj që u përfshinë në një strukturë të lartë të PD-së, e fituan atë betejë pa derdhur asnjë gram djersë. I vetmi kontribut i tyre është që janë djem dhe vajza të edukuar, të sjellshëm, që kanë një shkollim të mirë dhe vetëm kaq. Unë uroj që ata të shfaqin më pas edhe personalitetin e tyre politik dhe të tregojnë me vepra se cili është projekti i tyre. Pjesa më e madhe e opinionit publik është e zhgënjyer thellë nga PD-ja dhe nga mungesa e opozitës në vend.

Lulzim Basha është politikani me profilin më të ulët në krye të PD-së dhe karriera e tij politike nis pikërisht me këtë spektakël. Tetë vjet më parë, edhe Sali Berisha i paraqiti opinionit publik të rinj e profesionistë të talentuar dhe deklaroi se tashmë PD-ja po hapte një faqe të re. Në atë strukturë bënte pjesë edhe Lulzim Basha, i cili nga KOP-i fluturoi në strukturat më të larta të qeverisjes së PD-së dhe u bë për fat të keq modeli më i shëmtuar. Karriera e tij politike në këta tetë vjet është e mbushur me skandale dhe me krime. I akuzuar për shpërdorimin e 220 milionë eurove në tenderin e ndërtimit të Rrugës së Kombit kur ishte ministër, ai shpëtoi nga ndjekja penale me procedurë, por dosja është aty dhe peshon rëndë. Më 21 janar, kur ishte ministër i Brendshëm ai urdhëroi Gardën e Republikës të hapte zjarr mbi demonstruesit e pambrojtur dhe në atë masakër mbetën të vrarë 4 protestues. Pas kësaj ai u fut në garën për kryetar bashkie dhe u zgjodh në krye të Bashkisë së Tiranës me një proces të manipuluar. Të gjithë e kujtojnë se si u manipulua ai proces që u fitua nga Rama me 10 vota, por që u kthye mbrapsht nga Berisha dhe KQZ-ja e Ristanit. Kjo pra është karriera e njeriut që shndriste si yll në KOP-in e Berishës. Kjo është pjesa e zhgënjimit. Unë kam respekt për pjesën më të madhe të atyre të rinjve që janë përfshirë në strukturat e PD-së, por dyshoj se virgjëria e tyre politike dhe pastërtia e tyre morale nuk mund të mbulojë një traditë thellësisht negative të PD-së, e cila u përzu nga pushteti me votë plebishitare. Por këtu nuk mbaron e keqja, madje këtu fillon. Të ardhurit e rinj në PD duhet të sqarojnë pozicionin e tyre politik dhe duhet të shpallin në publik se cilën PD mbështesin. Prej 23 qershorit, qoftë edhe në mënyrë të mekur, janë krijuar dy rryma që e shohin humbjen fatale dhe krizën ku është futur PD-ja në mënyra të ndryshme. Njëra palë, ajo më e moderuara, kërkon që humbja e thellë e PD-së të analizohet me përgjegjësi dhe të evidentohen shkaqet, që Berisha dhe familjarët e tij të rrinë larg PD-së, që PD-ja të mos jetë më një pronë e familjes Berisha dhe që pushteti i Lulzim Bashës të mos jetë një prikë e familjes së ish-kryeministrit. Ata që njihen edhe si simpatizantë të të ndjerit Olldashi kërkojnë që PD-ja të ripërtërijë vlerat më të mira dhe pas analizës së thellë të humbjes të hartojë një strategji të qartë, që të bindë shqiptarët se ka ndryshuar. Grupi tjetër është ai i Lulzim Bashës dhe i Berishës. Ky grup kurrë nuk e ka pranuar humbjen dhe ka nisur projektin e shkatërrimit të opozitës. Bojkoti pa asnjë motiv, fjalori i vjetër, mungesa e një platforme të qartë dhe sherri parlamentar që vinte si pasojë e zemërimit të Berishës pse e kanë flakur nga pushteti, e katandisën opozitën e sotme në një mjerim të thellë.

Të rinjtë që Basha paraqiti të premten në sallën e SHQUP-it të ngjyer me blu duhet t’i tregojnë opinionit se cilën PD përfaqësojnë, PD-në që vajton për humbjen e Berishës apo PD-në që vuan thellë për humbjen e shkaktuar nga Berisha. Por para se të zgjidhin këtë dilemë, ata duhet të na thonë se cilin njohin si kryetar të PD-së, Lulzim Bashën apo Berishën. Apo të dy bashkë? Mund të ketë edhe interpretime të tjera të atij spektakli që dha Lulzim Basha të premten, por unë nuk u besoj zërave kritikë dhe cinikë njëkohësisht që vijnë si nga brenda PD-së, ashtu edhe jashtë saj, se KOP-i i ri është mbushur me fëmijë të pushtetarëve të vjetër të PD-së. Jo unë besoj se një pjesë e mirë e tyre janë vërtet të rinj të edukuar, të sjellshëm dhe të mirë. A do të ndikojnë ata në PD apo do ta falin vlerën e tyre në një formacion politik që është në krizë, kjo duhet parë. Fillimi ka pak shpresë dhe shumë zhgënjim.

Top Channel