Në një lagje të vjetër të kryeqytetit serb adresa është “Rruga e Skënderbeut”. Për ta nderuar figurën e historisë shqiptare është zgjedhur kjo pjesë, jo aq e rëndësishme, por e bukur.

Janë disa rrugë që tregojnë histori shqiptare dhe në kohë të ndryshme ato kanë qenë aty, pavarësisht konflikteve të gjata dhe shpesh urrejtjes së treguar.

Skadarska, apo “Rruga e Shkodrës”, gjatë verës është e mbushur plot. Edhe në dimër aty punojnë kafenetë e njohura për muzikën dhe ushqimin. Një rrugë dikur e bohemëve dhe artistëve serbë. Disa thonë se aty vinin tregtarë nga Shkodra e disa mendojnë se ka të bëjë me aspirata politike.
 
Nën pallatin në sheshin kryesor dikur ekzistonte një kafene me emrin “Albania”. Pallati që ende mban emrin e Shqipërisë tani ka dyqane të ndryshme, qendra kulturore e salla konferencash.

Thuhet se për shkak të tregtisë, por edhe kujtesës, ky pallat është quajtur me emrin e shtetit shqiptar. Mbi të gjitha duket se ekonomia ka qenë faktor i rëndësishëm dikur.

Beogradi është shpesh një qytet i dyzuar në mes të nacionalizmave dhe liberalëve, të cilët mundohen të tregojnë një fytyrë tjetër të këtij qyteti. Pavarësisht luftërave, tensioneve dhe ndryshimit të emrave, qytetarët i kanë ruajtur ato në kujtesën e tyre, siç është rasti me pallatin “Shqipëria”.

Pavarësisht kësaj dhe tendencave politike, Serbia është ende në kërkim të një rruge të saj të sigurtë drejt Bashkimit Europian.

Top Channel