Kryeministri shqiptar Edi Rama vizitën e tij në Beograd e bën në kohën kur marrëdhëniet u tensionuan ndoshta më së rëndi në historinë e re.

Pas dronit në stadium gjithçka mori frymë me vështrësi dhe sidomos për serbët që dinë pak për Shqipërinë u kthye gjithçka në një konflikt medial.

Ndonëse marrëdhëniet në ekonomi nuk janë aq të këqija, opinioni shpesh nuk di të lexojë mes rreshtash. Por, historianët mendojnë se mediat kryesisht kanë pasur dy lloje përshkrimesh për shqiptarët edhe gjatë historisë, pavarësisht fqinjësisë.

Sasha Mishiç, profesor i historisë bashkëkohore politike, thotë: “Në atë kohë, nëse marrim pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kanë ekzistuar dy përshkrime për Shqipërinë. Njëra kur marrëdhëniet ishin të mira dhe politika miqësore, atëherë shqiptarët për Serbinë kanë qenë ballkanas, bijë shqiponjash, heronj siç ka qenë Skënderbeu. Por, kjo ka ndryshuar në varësi të politikës.”

Goran Milletiç, një aktivist i njohur në Serbi, thotë se janë humbur shumë raste dhe politika mund të bëjë shumë. Disa hulumtime tregojnë se 40 për qind e serbëve nuk i duan shqiptarët për fqinj, 50% nuk i duan për shef dhe 70% nuk do të martoheshin kurrë me shqiptarët.

“Gjërat kanë qenë duke lëvizur në drejtim të mirë edhe pse ngadalë. Ka filluar dialogu me Kosovën dhe në Preshevë e Bujanoc ka pasur ndryshime. Por, gjithë ajo që ka qenë pozitive, e gjërat e tilla kanë qenë të pakta, gjithçka është fshirë gjatë një nate. Mendoj se tani jemi sërish në fillim dhe ngjarjet na kanë kthyer në situatën e Kosovës pas vitit 1999. Reagimi i publikut ende nuk është i pranueshëm”, shpjegon Milletiç.

Në të gjitha marrëdhëniet politike në Ballkan, një gjë është e sigurt: sugjerohet bashkëpunimi dhe e ardhmja evropiane. Por, varet në faktorët perëndimorë nëse ballkanasit do të kenë të shkuarën në valixhet e tyre kur të arrijnë në Bashkimin Evropian.

Top Channel