Ja deklarata që irritoi Vuçiçin

10/11/2014 00:00

Deklarata e kryeministrit Edi Rama në Beograd shkaktoi jo pak irritim
tek homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në fund të konferencës
nuk i dha dorën kryeministrit shqiptar.

Deklarata e Ramës: Për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe sic e kam theksuar në samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris hapur dhe sinqerisht: Njohja e Kosovës nga vende europiane që ende nuk e njohin atë është në rradhë të parë një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunim mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve, në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë se sa i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë, e mbrojmë dhe e promovojmë dialogun Kosovë-Serbi, si mishërimin kuptimplotë të një epokë të re paqeje dhe vetëdije europiane në rajonin tonë. Ky dialog është një sukses europian, i nxitur dhe i mbështetur nga instrumentat ligjorë dhe organizatat ndërkombëtare, por ky dialog është vlerë nga lidershipi i të dy shteteve dhe finalizimi me sukses i tij do të jetë pa asnjë dyshim një i prej atyre veprave me rëndësi historike, që vetëm politika ka fuqinë t’i krijojë”.

Vuçiç: Nuk kam pritur një provokim nga zoti Rama që do të flisnim për Kosovën dhe Metohinë dhe nuk e di çfarë lidhje ka më ketë.Unë nuk do t’ia lejoj askujt që ta ulë Serbinë këtu në mes të Serbisë. Më vjen keq që zoti Rama ka shfrytëzuar këtë rast që të flasë për tema që nuk kemi rënë dakord se do të flasim. Serbinë nuk duhet ta ulë askush.

Rama: Për sa i takon Kosovës, unë besoj se realiteti mbetet një dhe një i pandryshueshëm, pavarësisht percektimeve të ndryshme dhe mosdakordësisë së plotë që kemi lidhur me këtë realitet. Ne nuk mund të na pengojë që me njëri-tjetrin të bashkëpunojmë sepse rruga e secilit prej nesh, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës është një korsi në rrugën e përbashkët të Integrimit Europian. Sa më seriozë të jemi ne, aq më seriozisht do të na marrë Europa dhe kjo është një sfidë e përbashkët mes nesh.

Vuçiç
: Qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i pandryshueshëm, që Kosova është pjesë e Serbisë. Por është e bukur që të flasim, në ato që t’i themi njëri-tjetrit, sy më sy se çfarë mendojmë.

Top Channel