Rama-Vuçiç: Bashkë drejt BE-së

10/11/2014 00:00

Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë mes tyre, theksuan nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve në mënyrë që rruga drejt Bashkimit Europian të jetë më e lehtë.

Kryeministri shqiptar theksoi: “Kemi ndarë shumë histori së bashku pa qenë kurrë të afërt me njëri-tjetrin. Sot, e ardhmja jonë varet shumë nga ajo që do të mundemi të bëjmë së bashku në rrugën e bashkimit me Europën, që veç e veç do të jetë shumë më e vështirë për secilin prej nesh në Ballkan.”

“Duhet kurajo, besim i ndërsjellë dhe nuk duhet të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh. Ne, Ballkani, kemi nevojë për Europën, por edhe Europa ka nevojë për ne. Paqja duhet të na japë kurajo për t’u ndarë nga rruga e vjetër e një historie që ushqen mosbesim ndaj njëri-tjetrit. Ne shqiptarët duam ta ushqejmë besimin e ndërsjellë me ju serbët. Fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë. Bashkë duhet të krijojmë kushte të reja për zhvillimin e ekonomive dhe shoqërive tona”, shtoi zoti Rama.

Nga ana e tij, Aleksandar Vuçiç deklaroi se “problemet mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me bisedime”: “Ky është një moment i rëndësishëm për Serbinë sepse për herë të parë pas 68 vitesh takohen kryeministrat e dy shteteve tona. Biseda jonë që zgjati më tepër se parashikimi nuk ishte e lehtë, por jam i bindur se problemet do i zgjidhim së bashku. Problemet mund të zgjidhen vetëm me bisedime. E di që në Serbi dhe Shqipëri është shumë më lehtë të ngrihen tensione shoviniste dhe nacionaliste pasi kjo sjell edhe pikë politike, por unë mendoj se duhet të mendojmë më shumë për zhvillimin e vendeve dhe rrugën drejt BE-së.”

Zoti Vuçiç shtoi se në kuadër të stabilitetit rajonal “duam të hapim një kapitull të ri përsa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Serbi”.

Top Channel