Kosova mirëpret deklaratën e Ramës në Serbi

10/11/2014 00:00

Kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është vlerësuar shumë nga opinioni publik në Kosovë.

Pak sekonda pas përfundimit të konferencës së dy kryeministrave, Rama dhe Vuçiç, në rrjetet sociale kanë vërshuar komente të ndryshme nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e kanë përshëndetur deklaratën e tij si një veprim heroik. Për qytetarët në Prishtinë, Rama në Beograd përfaqësoi denjësisht gjithë shqiptarët.

“Vlerësoj se pas dronit në stadiumin e Beogradit kjo ka qenë historia e dytë. Edi Rama ka bërë një fjalim në Beograd për pavarësinë, që duhet të pranohet nga Serbia”, është shprehur një qytetar.

“Kryeministri Rama ka bërë një përfaqësim tërësisht dinjitoz në Beograd, ndërsa homologu i tij tregoi se ka mbetur me të kaluarën”, ka thënë një tjetër.

Përtej bujës që bëri në opinon deklarata e Ramës, në Kosovë nuk ka patur reagime institucionale. Disa përfaqësues të subjekteve politike e kanë vlerësuar lart qëndrimin që ka mbajtur kryeministri shqiptar gjatë kësaj vizite.

“Deklaratat e kryeministrit shqiptar për pavarësinë e Kosovës ishin të pritshme, ndërsa mënyra e reagimit të kryeministrit serb ishte një tregues që Serbia vazhdon të jetë mbrapa. Po ashtu, edhe qëndrimi i kryeministrit Rama për Luginën e Preshevës ishte një kërkesë shumë e mirëpritur pasi edhe ne si LDK konsiderojmë se Serbia duhet t’i trajtojë shumë më mirë shqiptarët atje, sikurse ne i trajtojmë serbët në Kosovë”, deklaroi deputetja e LDK, Vjosa Osmani.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi e ka vlerësuar kryeministrin Edi Rama si liderin më të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se, Rama i dha politikës serbe një leksion të rëndësishëm për politikat që duhet të udhëhiqen në rajonin tonë. Ai mendon se politika evropiane, në Ballkanin e trazuar, ka gjetur përfaqësuesin e saj të denjë.

Qëndrimet e kryeministrit Rama për pavarësinë e Kosovës kanë nervozuar serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë provokuar tek ura e Mitrocvicës policinë kosovare, por kjo e fundit nuk ka preferuar t’i komentojë këto provokime.

Top Channel