Arsimi, largohen 1.800 mësues jashtë profilit

10/11/2014 00:00

Plot 1.800 mësues pa arsimin përkates do të largohen nga sistemi arsimor. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha në komisionin e medias dhe arsimit se për mësuesit jashtë profilit do të hapet në ministri një portal ku do të paraqiten mesuesit që kërkohen në çdo shkollë të vendit.

“Mësuesit që janë në sistem, që kanë studiuar matematikë por për shkak të keqmenaxhimit japin biologji apo anglisht, t’iu krijohet mundësia të shkojnë në profilin e tyre. Mësuesit pa arsimin përkatës pa dyshim nuk mund të jenë më pjesë e sistemit. Në portalin e MAS do të jenë të paraqitura vendet e lira në strutkurat arsimore në mbarë vendin”, deklaroi Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se buxheti i arsimit për vitin e ardhshëm ka shënuar një rritje në krahasim me një vit më parë.

“Bazuar në ligjin për buxhetin, Ministrisë së Arsimit i takojnë 39 miliardë e 130 milionë lekë, por pa përmendur këtu fondin e arsimit profesional, bashkë me shpenzimet e tjera që kapin shifrën prej 41.3 miliardë lekë ose 2.75 për qind të GDP-së, ose 8.9 për qind e shpenzimeve publike”, shtoi Nikolla.

Mësuesit jashtë profilit do të konkurrojnë për vendet e punës sipas kritereve të përcaktuara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Top Channel