Buxheti i 2015 për shëndetësinë, rritje me 6%

10/11/2014 00:00

Shëndetësia do të ketë në dispozicion gjatë vitit 2015 rreth 2.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Buxheti i shëndetësisë për vitin 2015 është parashikuar të rritet me 6% më shumë se në vitin 2014.

Në total ky buxhet do të jetë rreth 41.23 miliardë lekë, sa 2.8 për qind e produktit të brendshëm bruto. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka shpjeguar në komisionin e shëndetësisë projektbuxhetin e parashikuar për sektorin që ai drejton.

“Programi i shëndetit publik do të marrë vëmendje të veçantë. Ai do të financohet me 2.7 miliardë lekë, me një shtesë nominale prej 189 milionë lekë krahasuar me 2014. Ky program do financohet me 18.2 mld lekë, me shtesë nominale pre 1 miliard”, deklaroi Beqja.

Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka kërkuar që Ministria e Ekonomisë të paraqesë në komision tabelën e investimeve të parashikuara me këtë buxhet, ndërkohë që e konsideron sërish rritje modeste.

“Po rritet buxheti, por rritja mbetet modeste. Gjithësesi është buxheti më i arsyeshëm që kemi, sepse edhe sikur të kishim dyfishin do kishim rezerva për më tepër”, deklaroi Vasili.

Me projektbuxhetin e paraqitur para deputetëve të mazhorancës është parashikuar rritje në fondet e planifikuara për programet e shëndetit publik, kujdesi parësor për të cilin do të ketë rreth 1 miliard lekë shtesë pasi këtë vit do të fillojë dhe chek-up për moshën 40-65 vjeç.

Po kështu, për vitin 2015 është parashikuar rritje e fondit për barnat e rimbursueshme me gati 570 milionë lekë. Projektbuxheti i shëndetësisë do të diskutohet nen për nen në komisionin e shëndetësisë dhe çështjeve sociale më 24 nëntor.

Top Channel