Kinë-Japoni tentojnë të “thyejnë akujt”

10/11/2014 00:00

Liderët e Kinës dhe Japonisë janë takuar për bisedime formale pas më shumë se dy vjet tensionesh të ashpra të lidhura me çështjet territoriale.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri japonez Shinzo Abe u takuan në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë së Paqësorit që po zhvillohet në Pekin.

Takimi i tyre i parë u shënua nga një shtrëngim publik duarsh, shoqëruar me një ngrohtësi modeste.

Pas dy vjet qëndrimi të ngrirë të Pekinit kundrejt Tokios, takimi i sotëm shihet si një hap i rëndësishën në përmirësimin e marrëdhënieve mes atyre që përbëjnë ekonomitë e dytë dhe të tretë të botës.

Megjithatë, mosmarrëveshjet për çështjet territoriale dhe historike mbeten ende të tendosura. Kjo u reflektua edhe nga gjuha e ngurtë trupore e zotit Xi në momentin e shtrëngimit të duarve, mungesa e një buzëqeshjeje prej tij dhe refuzimit të bisedës me zotin Abe teksa ky i fundit përpiqej t’i fliste.

Megjithatë, ky samit ka mbledhur së bashku liderët e vendeve fqinje me këndvështrime të ndryshme për botën, në një moment të vështirë të historisë.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë kanë qenë gjithmonë të acaruara nga përplasja për ishujt në Detin Lindor të Kinës.

Ishujt, të pabanuar por me një rëndësi strategjike, të njohur si Diaoju nga Pekini dhe Senkaku nga Tokio, kontrollohen nga Japonia por pretendohen edhe nga Kina.

Vendimi i qeverisë japoneze për të blerë tre prej tyre nga pronari japonez në shtator 2012 çoi në një përshkallëzim të situatës që kishte qenë e qetë për vite me radhë.

Top Channel