Komplot kundër Sarkozy në Francë

10/11/2014 00:00

Zërat se ish-kryeministri francez në kohën e presidencës së Nicolas Sarkozy u përpoq të ndërhyjë për të ndaluar rikthimin në politikë të ish-presidentit kanë tronditur politikën franceze.

Sipas raportimeve të gazetarëve francezë në muajin qershor ish-kryeministri Francois Fillon në një takim me shefin e stafit të presidentit Francois Hollande, Jean-Pierre Jouyet i kërkoi që të përdorte ndikimin e tij në përshpejtimin e procedurave ligjore për çështjet ku akuzohet Sarkozy.

“Nëse nuk e godisni tani ai do të rikthehet, prandaj veproni më shpejt”, thuhet në një pjesë të publikuar të bisedës Fillon-Jouyet.

Vetë Fillon, pjesëtar i partisë së Sarkozy, mohoi raportin duke e cilësuar atë krejtësisht të gënjeshtërt ndërsa shefi i shtabit të Hollande, Jean-Pierre Jouyet fillimisht mohoi gjithçka, por më vonë i vendosur përballë fakteve u detyrua të ndryshojë qendrim duke thënë se “në takim me Fillon është diskutuar edhe një çështje e tillë”.

Fillon akuzoi shefin e stafit të presidentit socialist Hollande si gënjeshtar.

“Nëse Jouyet ka deklaruar diçka të tillë, është një gënjeshtër. Do të ishte jashtëzakonisht serioze dhe një skandal kombëtar”, tha ai për një televizion francez të dielën në mbrëmje.

Çështja në fjalë ka tronditur të djathtët e UMP-së ku Sarkozy është sfiduar haptazi nga një sërë figurash brenda partisë për kreun e saj, përfshirë këtu Fillon.

Ish-presidenti francez i cilësoi raportimet si prova të asaj që ai ka thënë shpesh se në çështjet e ngritura kundër tij ka patur ‘ndërhyrje politike’, duke i krahasur ato me metodat e përdorura nga policia sekrete e ish-Gjermanisë Lindore.

Top Channel