Izrael, vriten një ushtar dhe një 14-vjeçare

10/11/2014 00:00

Një vajzë 14-vjeçare izraelite është goditur për vdekje me thikë në një sulm të ndodhur në Bregun Perëndimor, pak orë pasi në një sulm të ngjashëm në Tel Aviv mbeti i plagosur një ushtar izraelit.

Incidenti i fundit ka ndodhur pranë një zone me dendësi hebrenjsh. Agresori është qëlluar dhe për momentin nuk ka të dhëna për gjendjen e tij.

Ndërsa në rastin e mëhershëm ushtari izraelit mbeti i plagosur rëndë dhe është në gjendje kritike. Një person, i dyshuar si palestinez nga qyteti i Nablusit, u arrestua lidhur me këtë ngjarje.

Dy sulmet vijnë në një moment tensionesh të larta mes Izraelit dhe Palestinës. Në fundjavë, arabo-izraelitët goditën me gurë forcat e policisë në qytetet me shumicë arabe të Izraelit, pasi një agjent kishte qëlluar për vdekje një djal të ri, që i kishte sulmuar po ashtu me thikë.

Ndërsa javën e kaluar, një militant palestinez vrau një polic dhe një adoleshent izraelit pasi vërshtoi me furgonin e tij mes kalimtarëve në një stacion trami në Jeruzalem.

Një sulm i ngjashëm, po nga një i ri palestinez në të njëjtën zonë, dy javë më parë i mori jetën një gruaje dhe një foshnje. Mediat izraelite raportojnë se ngjarjet e së hënës ndodhën në një stacion treni, në momentin kur ai ishte shumë i populluar.

Si përgjigje ndaj tyre, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion për të ndalur trazirat dhe pasigurinë. Ai tha se do të prezantojë masa të reja e të forta për t’u përballur me nxitësit e këtyre sulmeve.

Top Channel