Spanjë, katalanasit mbështesin pavarësinë

10/11/2014 00:00

Një votim informal për pavarësinë në rajonin e Katalunjës ka treguar se mbi 80 për qind e votuesve janë shprehur pro saj.

Procesi i votimit, rezultati i të cilit është i pazbatueshëm, u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese e Spanjës përjashtoi mundësinë e një referendumi zyrtar në rajonin autonom në veri-lindje të shtetit iberik.

Mbi 2 milionë persona nga 5.4 milionë me të drejtë vote morën pjesë në procesin elektoral. Lideri katalanas Artur Mas e përshëndeti procesin dhe e cilësoi atë “një sukses që i hap rrugën një referendumi formal”.

“Ne kemi fituar të drejtën e një referendumi. Edhe njëherë Katalunja tregoi se dëshiron të vetëqeveriset”, deklaroi Mas para një turme të entuziazmuar.

“U kërkoj gjithë njerëzve në mbarë botën, i kërkoj mediave dhe gjithë qeverive demokratike që të ndihmojnë popullin katalanas që të vendosë vetë për të ardhmen politike”, vijoi Mas.

Referendumi u mbajt pavarësisht kundërshtimit të ashpër të qeverisë së Madridit. Ministri spanjoll i Drejtësisë, Rafael Catala e cilësoi votimin si një “farsë sterile dhe të kotë”, që shërben vetëm për të thelluar ndarjet mes katalanasve dhe për të ngritur tensionet politike.

Ai akuzoi Artur Mas se çoi në mbajtjen e referendumit për të fshehur dështimin e tij. “Qeveria e konsideron këtë një ditë propagande politike të organizuar nga forcat pro-pavarësisë dhe që nuk ka asnjë vlerë demokratike”, tha ai në një deklaratë.

Top Channel