Me interes të madh e ka ndjekur shtypi grek vizitën historike të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, disa javë pas incidenteve të rënda në ndeshjen midis përfaqësueseve të futbollit të dy vendeve në kryeqytetin e Serbisë.

Së pari, agjencia shtetërore e lajmeve “AMNA” dhe më pas edhe gazetat më të mëdha greke kanë pasqyruar këtë takim duke iu referuar në mënyrë të hollësishme “incidentit të nxehtë politik”, siç ato e kanë cilësuar konfliktin publik para kamerave në konferencën e shtypit të dy udhëheqësve.

Me titull “Tension në konferencën e përbashkët Vuçiç-Rama në Beograd”, prestigjozja “Kathimerini” komenton në një artikull të saj se, “për pak takimi mund të kishte përfunduar me incidente”.

Vuçiç, shkruan “Kathimerini” është shfaqur i nervozuar pasi kryeministri shqiptar e ka quajtur Kosovën “shtet të pavarur” dhe më pas ka deklaruar se, “nuk lejon askënd të abuzojë me mikrpitjen dhe si vizitor të përpiqet të fyejë duke folur në lidhje me Kosovën”.

Me të njëjtin titull edhe gazetat “To Vima”, “Ethnos” dhe “Ta Nea” i referohen tensionit të krijuar në momentin kur kryeministri shqiptar ka deklaruar nga selia e homologut serb, se ka ardhur koha që Beogradi dhe vendet e tjera europiane të njohin tashmë Kosovën, kërkesë që sipas gazetës është konsideruar provokim nga kryeministri Vuçiç, i cili në mënyrë demonstrative ka hequr kufjet e përkthimit për të dëgjuar një pjesë të deklaratës së homologut të tij shqiptar.

Vlen për t’u përmendur se të gjitha mediat greke kanë theksuar se kryeministri Rama, megjithë reagimin e rëndë të homologut serb, ka ruajtur gjakftohtësinë dhe pasi e ka thirrur atë me emrin e tij, ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim për ta fyer, por ka bërë thirrje për të pranuar sa më shpejt një realitet që do ndihmonte stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu, shtypi grek që reagoi ndjeshëm për flamurin e Shqipërisë së Madhe në stadiumin e Beogradit, veçon faktin se pavarësisht tensionit, vizita e Rames në Beograd është një sinjal për një fillim të ri në marrëdhëniet e ngrira shqiptaro-serbe prej afro shtatë dekadash.

Top Channel