Numerologjia, disiplina që ka intriguar njerëzimin në shekuj

10/11/2014 00:00

Sa prej nesh besojnë në fuqinë e numrave? A është 13-a numër ters? Po 31-shi pse konsiderohet si fatsjellës? Që në lashtësi, numerologjia është konsideruar si shkenca e interpretimit të numrave, duke përcaktuar karakteristikat e individit dhe pse jo të ardhmen…

Njerëzimi është magjepsur nga disiplina, por babai i numerologjisë pa asnjë diskutim është Pitagora. Në vitin 536 p.e.s. ai studioi të fshehtat dhe fuqinë e numrave në komunitetin Jahudi të Esienëve, prej të cilëve e kishte prejardhjen Jezu Krishti.

Duke lexuar dhe kombinuar numrat, Pitagora përcaktonte tendencat e karakterit të njerëzve, si pjesë e brendshme e planit kozmik, që i bindej një rregullsie universale. Sipas shkrimeve të tij, çdo shkronjë e alfabetit ka vlerë numerike dhe krijon një vibracion kozmik.

Numrat mund të na japin informacione të ndryshme mbi karakterin, qëllimin e jetës, apo të dhëna për profilin e talenteve tona. Studiuesi i lashtësisë formuloi teorinë mbi magjinë e shifrave, e cila bazohet mbi “Kabala Ebraika”, duke vërtetuar sipas tij që harmonia e jetës gjendet në vazhdimësinë e numrave elementarë.

Asgjë nuk është e rastësishme, por i bindet një rregullsie perfekte të paracaktuar që nga krijimi. Në fakt, para një shekulli, kur numerologjia filloi ta lidhë personalitetin e njeriut me të dhënat e datëlindjes, fillon edhe epoka moderne e saj.

Luigji i 14, Napoleon Bonaparti, Aleksandri i Madh e deri tek Adolf Hitleri, të gjithë i besonin shumë numerologjisë, e madje kishin ngritur grupe pune, që bënin prej dekadash studime. Por, si mund të llogaritet jetëgjatësia dhe fati nëpërmjet numrave?

Në mënyrë shumë të thjeshtë, secila datë e lindjes mund të zbritet në numër njëshifror, i cili tregon rrugën e jetës suaj dhe zbulon vetitë e mira dhe të këqija, apo si silleni ndaj njerëzve të tjerë. Nëse duam të përcaktojmë përputhshmërinë mes nesh, sërish na ndihmon numerologjia, e cila duke krahasuar numrat e individëve tregon a kombinojmë me partnerin, apo me njerëzit që na rrethojnë.

Sot e kësaj dite numrat mbeten ende intrigues. Bota është gjithmonë e më e interesuar për të lexuar, atë që është shkruar mijëra vite më parë. Një gjë është e sigurt, deri sa e ardhmja të na intrigojë për ta njohur, numerologjia do të vazhdojë të praktikohet.

Top Channel