Nga obez në instruktor palestre…

10/11/2014 00:00

Janë shokë fëmijërie. Enea dhe Eduardi u rritën bashkë në të njëjtën lagje në Durrës. Ata zgjodhën të studiojnë edhe në të njëjtën degë në universitet, për menaxhim transporti detar dhe tokësor.

Jo rrallë herë kanë ndikuar në vendimmarrje apo në stilin e jetesës së njëri-tjetrit, që nuk ishte gjithmonë i shëndetshëm. Aspak aktivitet fizik, shumë ushqim të shpejtë e ëmbëlsira për të shoqëruar pasditet. Deri sa dyfishuan peshën e tyre, por sot kanë 30 kilogramë më pak.

Enea, para 4 vitesh mori vendimin se duhet të bënte diçka me veten dhe të mos abuzonte më me ushqimin. Problemet shëndetësore filluan të rëndoheshin; gërhitje, të vjella, këmbë të fryra, probleme me shtyllën kurrizore etj. Në atë kohe ishte 125 kg. Të gjithë i thonin “e sheh veten sa je bërë?”. Nuk bënte aktivitet fizik e ushqehej keq.

Pasi mori vendimin, ndryshoi kryekeput stilin e jetesës: vrap në natyrë. Vëllai ishte mbështetësi kryesor për nismën e tij. Veshja e tij ishte XXL (pantallonat 52-54). U tërhoq nga bota, nuk donte të dilte në shoqëri, pasi kishte frikën se do të paragjykohej prej peshës së tij.

Pasi u dobësua ka kuptuar se sa e rëndësishme është pamja e jashtmë. Dikur ato që e refuzonin, sot i ka “shoqe”. Humbi 32 kg për një vit, tani e mban peshën 93 kg dhe nga intensiteti i punës filloi të lexonte e u përkushtua aq shumë, sa që sot është instruktor palestre.

Eduardi, shoku i tij, duke parë rezultatet dhe meqë miku i tij i fëmijërisë u bë instruktor, u regjistrua në palestër e ka humbur gjithashtu 20 kg, nga 95 në 75 kg. Nuk ka të njëjtin vullnet e përkushtim që ka Enea, por rezultatet janë të dukshme dhe ka ndryshuar shumë stilin e jetesës.

Doriani nuk kishte këtë shqetësim, ai ishte nën peshë, por nuk bënte një jetë të shëndetshme. Pasi shokët e tij po formonin një trup të bukur, edhe ai iu fut palestrës. Sot rezultatet janë të dukshme.

Top Channel