Basha fton njerëzit në protestë

10/11/2014 00:00

Për të nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve në protestën e 22 nëntorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur të takojë dhe të dëgjojë nga afër problemet e përditshme.

Panorama që sjell Partia Demokratike nga rrethinat e Lushnjes është shumë e zymtë. Tani për tani, e vetmja zgjidhje që jep opozita është protesta kundër qeverisë, e cila siç thotë kryetari i demokratëve Lulzim Basha, duhet të japë llogari për çdo mashtrim dhe abuzim që ka bërë me qytetarët.

“Ky tha që do të ulë naftën, do të ulë energjinë, por në fakt e ka trefishuar energjinë. Këtu ke në fakt familjarë që nuk kanë bukë të hanë në shtëpi. Neve na futi për së gjalli në dhè ai. Punë jo, bukë jo, ka ngritur çmimet. Duhet një reagim shumë i madh. Ne të ngordhur që të ngordhur jemi, më mirë të ngordhim atje, deri sa të rrëzohet. Populli po flet me veten rrugës”, janë ndër ankesat e njerëzve.

“Populli nuk ka pse të flasë me vete rrugës, duhet të flasë qeveria me vete. Ta bëjmë qeverinë të flasë me veten”, tha Basha.

Këtë frymë, kryetari i Partisë Demokratike e përcolli edhe në takimin me fermerë të Divjakës, të cilët u shprehën të mashtruar dhe të harruar nga qeveria. Sipas fermerëve, premtimet jo vetëm nuk po realizohen, por ata po ndiejnë edhe më shumë varfërinë dhe mungesën e mbështetjes së qeverisë.

“Nga rritja e naftës me 30 lekë që bëri ai, plugimi i tokës rritet me 200 lekë, e kështu vazhdojnë zinxhir të gjitha. Ishte 1000 lekë dhe ka shkuar 1200 lekë tani. Në Divjakë nuk ka asnjë fermer të rimbursuar, farat dhe plehrat janë bërë shumë të shtrenjta, nuk flitet fare. Këtej thonë që po japim kaq ndihma, por këtej asnjë lek, se ku shkojnë nuk e dimë”, thanë më tej banorë të mbledhur.

Deri më 22 nëntor, kur është edhe protesta e parë antiqeveritare e sindikatave, kreu i opozitës Lulzim Basha do të kryejë takime të hapura në qytetet kryesore të vendit, si dhe do të ketë bashkëbisedime me studentët dhe biznesin, të cilët kundërshtojnë rritjen e taksave në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Top Channel