KASH kundër rritjes së çmimit të energjisë

10/11/2014 00:00

Këshilli i Agrobiznesit është kundër heqjes së fashës mbrojtëse të energjisë elektrike, pasi thotë se, jo vetëm rëndon familjet në fshat, por edhe bizneset e tyre familjare, të tilla si baxhot e qumështit, përpunuesit e ushqimit për blegtorinë apo fabrikat e blojës.

Agrobiznesi deklaron gjithashtu se, edhe skema e rimbursimit të TVSH-së për fermerët, por edhe grantet, nuk po funksionojnë.

“Kjo prek edhe agroindustrinë vetjake, familjare, për të cilat ka disa përpunues ushqimi apo bulmeti, për të cilat heqja e fashës rrit koston dhe kjo nuk do të thotë se do të kompensohen. Ne themi se kjo është vetëm rritje e çmimit direkt te fermerët”, tha Enver Ferizaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.

Këshilli i Agrobiznesit thotë se, nëse çmimi i ri i energjisë do të jetë një mesatare mes dy çmimeve prej 7.7 dhe 13.5 lekë, kjo do të çojë automatikisht në një rritje prej 30% të kostos së prodhimit në zërin e shpenzimeve për energji elektrike.

Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit thotë se një nga masat, që tashmë ka nisur të aplikohet, heqja e TVSH-së për fermerët, nuk po jep efektin e duhur, madje lë shteg për abuzim.

“Është vetëm për disa tregtarë grumbullues, jo për fermerët, pasi ata nuk janë në gjendje ta thithin këtë sasi parash. Autofaturën e pret vetë tregtari”, tha Enver Ferizaj.

Këshilli i Agrobiznesit kritikoi edhe mënyrën e shpërndarjes së granteve, që sipas tij ka favorizuar sipërmarrësit e mëdhenj dhe jo fermerët.

“Grantin 15 mln lekë të reja e kanë përfituar ata agropërpunues, që kanë investuar 6-7 mln euro në biznesin e tyre. Nuk ke pse ndihmon këtë biznes, por fermerët që duan të fillojnë një biznes të ri”, tha Enver Ferizaj.

Top Channel