Vizita në Beograd, Rama flet për “Shqip”

10/11/2014 00:00

Ngjarja e kësaj të hëne është vizita e historike e Kryeministrit Rama në Beograd, vizitë që nxorri në pah mungesën e komunikimit mes dy vendeve dhe ku përmendja e realitetit të Kosovës së pavarur në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Aleksandar Vuçiç, u cilësua si provokim nga ky i fundit.

Dhe kësaj teme iu kushtua edhe emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga, që pas prezantimit të të ftuarve Spartak Ngjela, Rron Gjinovci, Belgëzim Kamberi dhe Skënder Minxhozi nisi me një intervistë të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Rama në Beograd, me të cilin bisedoi gazetari Idro Seferi.

Intervista e Kryeministrit Rama për “Shqip”

TCH: Zoti Rama, një vizitë interesante në Beograd, për herë të parë keni shënuar histori të paktën për 68 vjet që ka patur mungesë komunikimesh. Si ju duket vizita?


Kryeministri Rama:
Është një vizitë e vecantë me tensionin e vet nga do të kthesh sytë dhe të ndjeshëm në komunikimin me palën serbe, por besoj që kjo është e kuptueshme sic është e kuptueshme që nuk mund të vazhdohej më me këtë distancë dhe heshtje. Është koha të biem dakort mbi çka mund të biem dakort dhe jo domosdoshmërisht kemi nevojë të biem sot dakort për të gjitha që të ndërtojmë një bashkëpunim në funksion të njerëzve dhe nevojave tona dhe në funksion të përmirësimit të imazhit të një rajoni që duhet të bëhet sa më parë pjesë e Europës së bashkuar.

TCH: Reagimi i kryeministri Vuçiç ishte se deklarata tuaja për Kosovën ishin një provokim dhe nuk u duk i kënaqur me këtë pjesë. Takimi kokë më kokë zgjati 30 minuta më shumë. Kishte ndonjë problem tjetër përvec asaj që duket, që Vuçiç kishte probleme me opinionin e brendshëm?

Kryeministri Rama: Më vjen keq po të vërtetat tona nuk mund të varen nga pëlqyeshmëria ose jo e palës tjetër, cilado qoftë ajo palë dhe detyrimi ynë është që të vërtetat tona t’i themi me dinjitet, respekt dhe me vetëdijen se të vërtetave nuk i shpëtojmë duke iu fshehur. Ishte disi e habitshme në fakt mënyra se si kryeministri serb reagoi por tanimë jemi në një fazë ku s’kemi pse habitemi me këto reagime. Ajo që ka rëndësi është që gjërat u thanë dhe u thanë ashtu siç duhet, mendoj unë, dhe ndërkohë besoj që do të bëjmë progres sepse baza e këtij bashkëpunimi është vendosur siç duhet duke patur parasysh jo vetëm se çfarë duam dhe për çfarë do të punojmë së bashku, por edhe ku nuk mund të biem dakort së bashku.

TCH: Në Serbi zakonisht nuk flitet dhe në transmetim në televizionin publik serb ishit në përkthim, pastaj kishte shumë probleme rreth axhendës. Thatë në forumin ekonomik se dilema juaj më e madhe ishte përkthimi. Kishit ndonjë dilemë tjetër? Përshtypja e parë kur mbërritët në Beograd?

Kryeministri Rama: Nuk është diçka që më gjen të papërgatitur, kuptohet, por besoj që gjithcka që po bëjmë sot dhe do bëjmë nesër ja vlen për të ardhmen e përbashkët, për të hapur një rrugë të re që do të jetë padyshim e vështirë sepse po të mos ishte do ishte hapur më përpara.

TCH: U pa një tension edhe nga mediat serbe. Shumë gazetarë pyetën për reagimet. Shumica u pajtuan që ishte një provokim dhe transmetuan deklarimet e Vuçiç që nuk do lejonte përbuzjen e Serbisë në Beograd. Mund të thuhet kjo…të themi një lloj droni tjetër?

Kryeministri Rama: Unë nuk e kuptoj çfarë provokimi është ky sepse nuk është diçka që unë e kam parë në ëndërr dhe as diçka që është një aspiratë shqiptare, por një realitet që është aty, është një, i pandryshueshëm dhe i pakthyeshëm. Shtyrja në kohë e ditës për ta parë këtë realitet është një problem i serbëve, nuk është problemi ynë dhe s’kuptoj se çfarë ka këtu për t’u provokuar kur bëhet fjalë për një shtet i njohur nga 108 vende anëtare e OKB-së, por më e rëndësishmja nga të gjitha demokracitë e mëdha. Duhen pak njohje që duhen për të plotësuar gjithë mozaikun e njohjeve brenda Europës që janë kushtëzuar nga problemet e brendshme të atyre katër vendeve dhe unë besoj që do të kapërcehen pasi konteksti europian është i tillë që imponon logjikisht njohjen e plotë të Kosovës. Nuk e kuptoj dot ku është provokimi, por nuk kam ndërmend të lodhem për ta kuptuar.  

TCH: A biseduat me Kryeminstrin Vuçiç në takimin kokë më kokë lidhur me Kosovën, apo nuk u përmend fare?

Kryeministri Rama: Takimi kokë më kokë më kokë është takim kokë më kokë dhe mbetet kokë më kokë.

TCH: Keni qenë edhe më parë në Preshevë si kryetar i PS, ekziston në Preshevë një lloj simpatia edhe ndaj jush edhe ndaj angazhimeve që keni marrë më herët. Cili do të jetë mesazhi sepse nga Serbia duket që i druheshin më shumë mesazhit se sa vizitës tuaj?

Kryeministri Rama: Tani, këtu mund t’i druhen edhe hijes së tyre, por është e sigurtë që unë nuk kam ardhur këtu për të krijuar probleme të reja, por për të folur për problemet që kemi dhe për të gjetur rrugën që t’i trajtojmë ato së bashku. S’është problemi im nëse mikpritësit tanë këtu kanë problem këtu atë se çfarë do të them unë nesër. Unë e pres me emocion dhe me një ndjenjë të fortë privilegji që si Kryeministër i Shqipërisë vizitoj vendibanimet e shqiptarëve në një zonë që vuan nga shumë aspekte, gjë që as mikpritësit tanë nuk mund ta fshehin dot, dhe që ka nevojë për shumë më tepër mbështetje që të kenë një jetë sa më të denjë dhe sa më normale. Në fund të fundit mënyra se si trajtojmë pakicat, përcakton atë që ne jemi dhe atë që duam të jemi.

TCH: Sipas një informacioni jozyrtar nga shqiptarët e Preshevës, gjatë vendosjes së flamujve për pritjen tuaj, ato janë konfiskuar nga policia serbe. Si e komentoni këtë pjesë?

Kryeministri Rama:
Nuk kam informacion për këtë, por një gjë besoj se mund ta them që të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë që të mos çlirohesh dot nga hija jote.

Gjatë intervistës së Ramës për “Shqip” ajo që ra në sy ishim masat ekstreme të sigurisë.

Kryeredaktori i revistës “Java” Skënder Minxhozi interpretoi: Masat e sigurisë janë të natyrshme. Do ta përkufizoja këtë vizitë të suksesshme. E kam vështirë që me 3 marrëveshje të nënshkruara dhe një qëndrim të pastër të kryeministrit tonë të them se nuk ka avancim. Besoj se pas ndeshjes dhe kësaj vizite nuk besoj se na urrejmë më shumë. Kjo vizitë e ka gjetur situatën të trazuar dhe do ta lërë të trazuar. Them se pas 70 viteve ishte koha që dy vendet të thoshin mes tyre disa të vërteta dhe kjo ishte, sidomos ajo me Kosovën.

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela tha se: Pyetja që duhet të shtrohet: a është politika e Tiranës nacionaliste? Apo është politika shqiptare që drejton problemin kosovar? Jo, është politika amerikane. Kosova sot bën pjesë në politikën amerikane. rama nuk mund të dilte as kundër politikës së vetë dhe as asaj globale. deri në këto momente politika shqiptare nuk e ka bërë këtë. Nano dhe berisha nuk e kanë përkrahur kosovën. Nuk kemi as treg të përbashkët, as arsim të përbashkët, as kulturë të përbashkët, asgjë. Pra, kemi pasur dy kryeministër që nuk kanë qenë të interesuar të hyjnë në Kosovë. Në deklaratën e Ramës nuk pati nacionalizëm. Ai u tregua realist dhe në funksion të politikës shqiptare pati vlerë. Ai nuk u tregua as pasionant e as shumë gjëra të tjera. Duhet të kemi parasysh se atje, në kosovë, për pak është bërë një luftë botërore. Politika shqiptare nuk pati frikë nga realizmi. U tha se, ai është shtet i pavarur dhe ne nuk mund të flasim për të. Ai shtet u bë i pavarur jo me forcën e Shqipërisë, por përmes një politike globale. të gjitha këto Rama i kishte në favor me përjashtim të dronit.

Rron Gjinovci i  shoqërisë civile në Kosovë solli një panoramë të reagimin në atje: Sot në Prishtinë, nga ato që përcillen në rrjetet sociale, Rama u bë heroi i kosovës. U hoqën të gjitha lidhjet që bëheshin për lidhjen e PS me partinë e Milloshevicit. Mendoj se Rama ka fituar rolin kryesor, atë të ndërmjetësit të rajonit me Europën për integrimet evropiane.

Gazetari nga Presheva, Belgëzim Kamberi shtoi: Ajo që ka qenë shumë pozitive në vizitën e zotit Rama në Beograd është reciprociteti që ai ka kërkuar për shqiptarët e Preshevës. Atë që duhet ta bënte prishtina në dialogun e brukselit e bëri zoti rama sot. Deklarata e tij jo vetëm që nuk është nacionaliste, por është realiste. Ai po merret me shqiptarët në rajon dhe vizita e tij në preshevë tregon se duhet të largohemi nga deklaratat patriotike dhe të angazhohemi seriozisht për shqiptarët në rajon. Reagimi i beogradit vjen nga pozita e tyre e brendshme. Ata nuk i kanë mirë politikat me BE-në për shkak të Rusisë.

*** 

Analisti serb: Vizita e Ramës, gur themeli në marrëdhëniet tona

Pjesën e dytë “Shqip” solli këndvështrimin e serbëve për vizitën e Ramës. Në lidhje direkte nga Beogradi me gazetarin Idro Seferi ishte Nenad Gjurgjeviç, Koordinator i Forumit të Marrëdhënieve Ndëretnike, njëkohësisht një njohës i marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

TCH: Si të duket reagimi i Kryeministrit Vuçiç dhe gjithë konferenca?

Nenad Gjurgjeviç, analist serb:  Ishte një takim i vështirë dhe deklarimi i Ramës për Kosovën dhe që përfaqësonte realitetin shkaktoi reagime të forta që Vuçiç i quajti provokim. Është tepër e vështirë për mënyrësn se si shkuan këto diskutime të thuash nëse është gjë e mirë apo e keqe. Unë besoj që kur dy kombe apo dy popuj kanë probleme mes tyre është e mira që të përballen me këto probleme që të rifillojnë lidhjet tona duke u përballur me problemet që janë mes nesh edhe për Kosovën që të mos vendosë në hije marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Duke e parë problemin në sy mund të arrijmë në një qasje për këto probleme. Të tejkalojmë këto vështirësi, këto keqkuptime dhe të shmangim fjalët e rënda.

TCH: Dëgjova një koment që Presidenti Nikoliç nuk pranoi të takojë Kryeministrin Rama. Ai tha se e priste një provokim të tillë sepse Rama është një politikan i tillë dhe se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së vetëm kur të heqë dorë nga projekte si Shqipëria e Madhe. A ka ndonjë ndryshim në qendrimin mes Presidentit dhe Kryeministrin Vuçiç?

Gjurgjeviç: Deklarata ishin të rënda edhe për incidentin e ndeshjes, të vështira. Kjo rriti ndjenjën nacionaliste që mendonim se ishte një realitet i së shkuarës. Është një gjest i rëndësishëm i Ramës që erdhi në Serbi dhe guxim i dy kryeministrave që u takuan. Deri këtu ishte normale, por do të jetë shumë e vështirë për të dy shtetet për të vazhduar rrugën e komunikimit sidomos në hijen e Kosovës dhe liderëve të tjerë politikë që nuk e shikojnë të domosdoshme këtë qasje. Besoj se ata njerëz që e shikojnë këtë komunikim të rëndësishëm nuk janë vetëm Rama dhe Vuçiç. Dy vendet tona duhet të hyjnë në BE. Vizita e rëndësishme për dy vendet, për rajonin. Rama përmendi Ballkanin si pjesë e rëndësishme e Europës. Besoj që deklaratat e tij që thonë se e dinte që do të kishte vështirësi, janë deklarata që tregojnë që nuk ka vizion për bashkëpunime tona në të ardhmen, ose që do të ketë bashkëpunime të vakta në të ardhmen. Vizita është një gur themeli për marrëdhënie të mira mes dy vendeve. 25 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit, ndoshta kjo vizitë është një shenjë e mirë për të rrëzuar muret që na ndajnë ne. Jam i vetdijshëm që do të ketë shumë vështirësi dhe për deklaratat që do të lëshon si nga Tirana, Beogradi dhe Prishtina. 

TCH: Duket sikur Serbia është e trembur nga vizita në Preshevë?

Gjurgjeviç: Nuk besoj që Serbia është e trembur nga vizita. Serbia ka një standard të lartë të mbrojtjes së minoriteteve kombëtare dhe besoj që vizita e Kryeministrit Rama në Preshevë dhe Bujanoc dhe bisedimet me udhëheqësit atje do të shërbejë për të kuptuar më mirë dy kombet tanë. Do të ketë vështirësi, por jam i sigurtë që realiteti është se komunikimi mes qeverisë serbe dhe komunitetit shqiptar atje po përparon mirë dhe vizita e Ramës në këtë pjesë do të ndihmojë këtë proces.

***


Rexhep Qosja: Edi Rama u dëshmua në Beograd si lideri i rajonit

Rudina Xhunga: Si e përcollet vizitën e Edi Ramës në Beograd ?

Rexhep Qosja :Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore. Pse ka rëndësi shtetërore? Ka rëndësi politike dhe shtetërore në radhë të parë se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Europian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot mardhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e mardhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë – Serbi.

Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i kryeministrit Rama në Beograd?

Rexhep Qosja:
E kam ditur se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët.

Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i  kryeministrit serb Vucic?

Rexhep Qosja: Unë kryeministrin e sotëm të Serbisë Aleksander Vucic dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë Dacic i njoh si njerëz të politikës që kur kanë qenë të rinj. Në të vërtetë Vucic konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Dacic ishte komsomolas i Milloshevicit dhe i partisë së tij socialiste.  Vucic,  më ka befasuar shumë, zgjedhja e tij si kryeministër, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste, por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimaneve të Bosnjes e të Hercegovinës. Jo vetëm për mua, zgjedhja e tij si kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, por ja që u zgjodh sepse ai mori një drejtim politik pro evropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve  dhe intelektualëve  në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë kurse këta i quajnë pro europianë.

Rudina Xhunga: Europian apo jo ai tregoi se nuk është profesionist si politikan në momentin që hoqi kufjet, apo nuk i duhen dëshmi profesioniste, por patriotike për vendin që udhëheq?

Rexhep Qosja: Cdo njeri e bën jetëshkrimin e vet në shtëpine e tij  dhe ai atë biografi të tij, ato sjellje të tij, atë mentalitet të tij politik e tregoi dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, i ranë maskat menjëherë dhe filloi të flas pa kontroll për shqiptarët, për Shqipërinë për ato çka ndodhën në futboll.

Rudina Xhunga: Nëpër rrjetet sociale, edhe gazetarë jo pro Ramës e quajtën një 3 me 0 këtë takim të Ramës në Beograd dhe e quajtën Ramën një dron të dytë në Beograd.

Rexhep Qosja: Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë. Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën, ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre. Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kane shpallur veten një popull qiellor.  Popujt qiellor nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20 me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Rudina Xhunga: Përse do shërbejë kjo vizitë, përse është e rëndësishme kjo vizitë, çfarë mund të vije pas saj?

Rexhep Qosja: Këtë vizitë mund ta shikojmë  në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin, e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si  lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

Top Channel