Bisedimet Iran-Perëndim, ende pa rezultat

10/11/2014 00:00

Irani, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë përfunduar bisedimet dyditore të nivelit të lartë mbi programin bërthamor të Teheranit gjatë së hënës, por pa dhënë asnjë shenjë të menjëhershme nëse i kanë ngushtuar diferencimet e tyre përpara afatit përfundimtar të 24 nëntorit për një marrëveshje.

Një zyrtar i lartë iranian tha për “Reuters” se është bërë një progres minimal në bisedimet e Omanit. “Pas disa orësh bisedime, them se mund të bëjmë progres të vogël”, tha zyrtari. “Megjithatë, dallimet mbeten ende dhe kemi sërish ndasira të mëdha mbi disa çështje”.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se bisedimet mes ministrit të Jashtëm iranian, Javad Zarif, Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe të dërguarës së BE-së, Catherine Ashton, kanë qenë “të vështira, të drejtpërdrejta dhe serioze”.

Ajo nuk dha detaje të mëtejshme, por tha se ata po “vazhdojnë të ofrojnë zgjidhje për një problematikë tepër sfiduese”.

Kerry u largua nga Omani mbrëmjen e së hënës për një takim pune aziatiko-paqësor në Pekin. Diplomatët nga Irani dhe vendet e “P5+1” (5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë dhe Gjermania) priten të rinisin bisedimet në Muscat gjatë së martës, përpara takimit të fundit që do ta zhvillojnë në Vjenë javën e ardhshme, për të synuar një marrëveshje përpara 24 nëntorit.

Top Channel