Presidenti i Serbise, Tomisllav Nikoliç, me anë të një deklarate për shtyp të shpërndarë nga Zyra e tij e Shtypit, e ka quajtur kryeministrin shqiptar Edi Rama një politikan të papërgjegjshëm.

“Provokimi i Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Serbi ishte një sjellje e pritshme dhe kjo ishte arsyeja kryesore për Presidentin e Republikës Tomisllav Nikoliç që refuzoi të takohet me të. Serbia prej disa vitesh tashmë është duke u përpjekur që Ballkani të bëhet një rajon i sigurt dhe i begatë në Evropë, por me politikanë të papërgjegjshëm si Edi Rama është e qartë se kjo do të jetë një punë e vështirë plot sfida”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës së Serbisë.

Në fund të reagimit, në njoftim thuhet se, “do të jetë e vështirë për Shqipërinë që të bashkohet me familjen e shteteve moderne evropiane, për aq kohë sa nuk do të heqë dorë nga ëndrrat për Shqipërinë e Madhe”.

Edhe pse kishte njoftuar se nuk të do ishte i pranishëm në Beograd, më herët gjatë ditës presidenti Nikoliç ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka ritheksuar qëndrimin e Serbisë për të qenë faktor stabiliteti në rajon.

Top Channel