Rama: Të vërtetat nuk i fshehim dot

11/11/2014 00:00

Në fund të ditës së parë të vizitës në Serbi, Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për Top Channel, se të vërtetat nuk mund t’i fshehim dot, duke komentuar kështu reagimet e homologut serb, Vuçiç për përmendjen nga ana e tij e Kosovës.

Po ashtu Rama u pyet nga gazetari i Top Channel në Beograd, Idro Seferi, edhe per viziten që do të realizojë sot në Preshevë.

Ai tha se sa emocion është edhe detyrim kushtetues i Kryeministrit të Shqipërisë për të folur për të drejtat e tyre.  

TCH: U pa një tension edhe nga mediat serbe. Shumë gazetarë pyetën për reagimet. Shumica u pajtuan që ishte një provokim dhe transmetuan deklarimet e Vuçiç që nuk do lejonte përbuzjen e Serbisë në Beograd. Mund të thuhet kjo…të themi një lloj droni tjetër?

Kryeministri Rama:
Unë nuk e kuptoj çfarë provokimi është ky sepse nuk është diçka që unë e kam parë në ëndërr dhe as diçka që është një aspiratë shqiptare, por një realitet që është aty, është një, i pandryshueshëm dhe i pakthyeshëm. Shtyrja në kohë e ditës për ta parë këtë realitet është një problem i serbëve, nuk është problemi ynë.

TCH: Keni qenë edhe më parë në Preshevë si kryetar i PS, ekziston në Preshevë një lloj simpatia edhe ndaj jush edhe ndaj angazhimeve që keni marrë më herët. Cili do të jetë mesazhi sepse nga Serbia duket që i druheshin më shumë mesazhit se sa vizitës tuaj?

Kryeministri Rama: Tani, këtu mund t’i druhen edhe hijes së tyre, por është e sigurt që unë nuk kam ardhur këtu për të krijuar probleme të reja, por për të folur për problemet që kemi dhe për të gjetur rrugën që t’i trajtojmë ato së bashku. S’është problemi im nëse mikpritësit tanë këtu kanë problem këtu atë se çfarë do të them unë nesër.

TCH: Sipas një informacioni jozyrtar nga shqiptarët e Preshevës, gjatë vendosjes së flamujve për pritjen tuaj, ato janë konfiskuar nga policia serbe. Si e komentoni këtë pjesë?

Kryeministri Rama: Nuk kam informacion për këtë, por një gjë besoj se mund ta them që të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë që të mos çlirohesh dot nga hija jote.

Top Channel