Nigeri, sulm kamikaz në një shkollë, me dhjetëra të vdekur

11/11/2014 00:00

Të paktën 46 studentë kanë mbetur të vdekur pas një sulmi kamikaz në një shkollë në qytetin Potiskum në Nigeri, kanë bërë të ditur autoritetet vendase.

Personi, i cili kreu sulmi, arriti të futej në një shkolle djemsh, pasi ishte veshur si student. Policia tha se sulmi dyshohet të jetë kryer nga militantët e Boko Haram.

Autoritetet vendase urdhëruan menjëherë mbylljen e të gjitha shkollave publike në Potiskum. Guvernatori i shtetit Yobe, Ibrahim Gaidam, kritikoi qeverinë për mosveprim ndaj militantëve të Boko Haram dhe kërkoi të mërren masa urgjente për të ndaluar dhunën gjithnjë e në rritje.

Gjatë kryengritjes së ashpër 5 vjeçare, militantët e grupit terrorist kanë pasur nën shënjestër shkollat, duke kryer vrasje dhe rrëmbime të shumta në ambientet e tyre. Synimi i tyre është të ndalojnë vajzat të shkojnë në shkolla, ndërsa djemtë duhet të marrin vetëm mësime në lidhje me fenë.

Më 17 tetor, qeveria nigeriane pohoi se ka arritur një armëpushim me Boko Haram, por dy javë më vonë udhëheqësi i grupit, Abubakar Shekau, mohoi këto pretendime. “Ne nuk kemi arritur armëpushim me askënd, ne nuk negociojmë me askënd. Kjo është një gënjeshtër”, tha në një video-mesazh, Shekau.

Top Channel