Rama, takim jashtë protokollit me Vuçiç

11/11/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Beograd ka zhvilluar mbrëmjen e së hënës një darkë pune me homologun Aleksandar Vuçiç.

Darka ka qenë jashtë protokollit dhe thuhet se ka pasur si qëllim uljen e tensioneve pas konferencës së shtypit ku Rama foli për pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, detajet për këtë takim janë fare të pakta pasi duke qenë një takim i paparashikuar ka qenë shumë i rezervuar.

Deklarata e kryeministrit shqiptar se Kosova është një realitet që duhet pranuar shkaktoi një irritim të ashpër të kryeministrit serb, i cili tha se nuk do të lejonte askënd të cënonte Serbinë në Beograd.

Megjithatë, Rama e qetësoi Vuçiç duke e ftuar për një vizitë në Tiranë dhe duke e garantuar se qëndrimi i tij për Kosovën nuk do të shihet si provokim nga shqiptarët e Shqipërisë.

Gjatë konferencës për shtyp, televizioni shtetëror serb nuk e përktheu fjalën e Ramës të mbajtur në shqip. Edhe në fund të konferencës nuk pati një shtrëngim duarsh me dy kryeministrave.

Top Channel