BE: Vizita e Ramës, shenjë ndryshimi pozitiv për dialogun rajonal

12/11/2014 00:00

Nga Berlini, ndërsa zhvillonte takimet respektive me Ministrat gjermanë
të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme, Zhvillimit e Bashkëpunimit,
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe
Siguri, Federica Mogherini, komentoi vizitën historike të Kryeministrit
shqiptar në Beograd, duke e quajtur “shenjë të një ndryshimi pozitiv për
dialogun rajonal në Ballkanin Perëndimor”.

“Vizita dyditore duhet të përfaqësojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ne presim që të dy liderët të tregojnë vendosmëri të përtërirë dhe guxim politik, të shohin për të ardhmen dhe për të rindërtuar marrëdhëniet pas kaq shumë vitesh,” vlerëson shefja e re e diplomacisë europiane.

Berlini shënon vizitën e dytë zyrtare në një vend anëtar për Përfaqësuen e Lartë, ndërkohë që përpara vizitës në Beograd, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u ftua të enjten në Komisionin për çështjet europiane të Bundestag, si dhe bisedoi me Ministrin e Shtetit për Europën në Gjermani. Disa ministra të jashtëm europianë e eurodeputetë komentuan në mediat sociale vizitën e kryeministrit Rama në Serbi. “Historia është shkruar” për sllovakun Miroslav Lajcak, i cili thekson se kjo vizitë pason takimin Tito-Hoxha në Beograd në vitin 1946.

Suedezi Carl Bildt e konsideron “vizitë të rëndësishme për biseda politike”. Gjithashtu, eurodeputetja e majtë sllovene, Tanja Fajon, “mirëpriti vizitën historike të kryeministrit Rama në Serbi”. Sipas saj, “ ajo përfaqëson njê hap të guximshëm për të ardhmen e të gjithë rajonit”. 

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel