Vlorë, 3 në pranga për vjedhje të energjisë

11/11/2014 00:00

Policia e Vlorës, në kuadër të aksionit kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike ka vënë në pranga një banore të këtij qyteti.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se shtetasja Floreta Belaj, 56 vjeç, u arrestua në flagrancë në lagjen Hajro Çakërri, pasi në subjektin e saj privat u verifikuan disa lidhje të paligjshme.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për selinë e kompanisë “Metal Work”, që ushtronte aktivitetin e përpunimit të hekurit dhe që për të vënë në punë makineritë e rënda kishte vendosur tre lidhje të paligjshme, që funksiononin që prej vitit 2012.

Në lidhje me këtë rast u realizua edhe arrestimi i dy faturistëve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ata janë identifikuar nga autoritetet si Jurgen Zenaj, Skënder Osmeni dhe një 44-vjeçare me inicialet V.V, e cila është dhe personi i shpallur në kërkim.

Arrestimi i tyre u krye pasi të tre këta punonjës, me detyrë faturistë të energjisë elektrike për zonën ku ndodhej firma “Metal-Work”, gjatë periudhës 2012-2014 nuk kanë raportuar për vjedhjen e energjisë, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej qindra milionë lekë.

Top Channel