“Lumë” refugjatësh sirianë

11/11/2014 00:00

Policia e Gjirokastrës ndaloi vetëm ditën e djeshme 87 klandestinë, shumica e të cilëve ishin nga Siria. Ata ishin të ndarë në grupe të ndryshme në fshatin Radat, Grapsh dhe fushën e Glinës.

Ata mbanin dokumenta qëndrimi në Greqi, por kanë kaluar ilegalisht kufirin me Shqipërinë. Sipas policisë, synimi është për të udhëtuar drejt Malit të Zi për të ikur më pas në vendet e Europës Perëndimore. Mes grupit të klandestinëve ka edhe gra dhe disa shtetas nga Sudani që më parë kanë qenë emigrantë në Greqi.

Ndërkohë, siç njofton korrespondenti ynë në Greqi, policia e këtij vendi ka nisur orët e fundit një operacion madhor në kufirin greko-shqiptar pranë Kakavijës për të larguar dhjetëra klandestinë sirianë që janë përqendruar përgjatë lumit të Kakavijës duke pritur momentin e përshtatshëm për të hyrë në tokën shqiptare.

Emigrantët e paligjshëm kanë ndërtuar ditët e fundit edhe një kamp të improvizuar me çadra dhe kasolle. Shumica e tyre disponojnë leje gjashtëmujore nga autoritetet greke, e cila i ndalon ata të lëvizin drejt Pireut, Patrës, Igumenicës dhe Korfuzit, kështu që ata kanë gjetur një mënyrë të re për të kaluar drejt Europës, nëpërmjet kufirit shqiptar.

Por, klandestinët sirianë kanë arritur të depërtojnë deri në kryeqytet. Dogana e Tiranës njofton se në një kamion që vinte me mallra elektroshtëpiake nga Turqia, tranzit përmes Greqisë, janë gjetur 7 klandestinë sirianë. Sipas doganave, drejtuesi turk i kamionit është ndaluar për trafik të qenieve njerëzore, ndërsa 7 sirianët i janë dorëzuar policisë. 

Top Channel