Rexhep Qosja: Rama u dëshmua në Beograd si lideri i rajonit

11/11/2014 00:00

Akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja ka vlerësuar përfaqësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd. Në një intervistë për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, Qosja ka vlerësuar se Rama në Beograd u dëshmua si lideri i rajonit.

Rudina Xhunga: Si e përcollet vizitën e Edi Ramës në Beograd?

Rexhep Qosja: Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore. Pse ka rëndësi shtetërore? Ka rëndësi politike dhe shtetërore në radhë të parë se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Europian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot mardhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e mardhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë – Serbi.

Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i kryeministrit Rama në Beograd?

Rexhep Qosja: E kam ditur se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët.

Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i  kryeministrit serb Vucic?

Rexhep Qosja: Unë kryeministrin e sotëm të Serbisë Aleksander Vucic dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë Dacic i njoh si njerëz të politikës që kur kanë qenë të rinj. Në të vërtetë Vucic konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Dacic ishte komsomolas i Milloshevicit dhe i partisë së tij socialiste.  Vucic,  më ka befasuar shumë, zgjedhja e tij si kryeministër, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste, por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimaneve të Bosnjes e të Hercegovinës. Jo vetëm për mua, zgjedhja e tij si kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, por ja që u zgjodh sepse ai mori një drejtim politik pro evropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve  dhe intelektualëve  në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë kurse këta i quajnë pro europianë.

Rudina Xhunga: Europian apo jo ai tregoi se nuk është profesionist si politikan në momentin që hoqi kufjet, apo nuk i duhen dëshmi profesioniste, por patriotike për vendin që udhëheq?

Rexhep Qosja: Cdo njeri e bën jetëshkrimin e vet në shtëpine e tij  dhe ai atë biografi të tij, ato sjellje të tij, atë mentalitet të tij politik e tregoi dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, i ranë maskat menjëherë dhe filloi të flas pa kontroll për shqiptarët, për Shqipërinë për ato çka ndodhën në futboll.

Rudina Xhunga: Nëpër rrjetet sociale, edhe gazetarë jo pro Ramës e quajtën një 3 me 0 këtë takim të Ramës në Beograd dhe e quajtën Ramën një dron të dytë në Beograd.

Rexhep Qosja: Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë. Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën, ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre. Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kane shpallur veten një popull qiellor.  Popujt qiellor nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20 me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Rudina Xhunga: Përse do shërbejë kjo vizitë, përse është e rëndësishme kjo vizitë, çfarë mund të vije pas saj?

Rexhep Qosja: Këtë vizitë mund ta shikojmë  në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin, e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si  lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

Top Channel