I dërguari i OKB: Shans për armëpushim në Siri

11/11/2014 00:00

Ndërmjetësi i OKB-së për konfliktin sirian, Staffan de Mistura ka deklaruar për BBC se beson në ekzistencën e një mundësie të re për të zgjidhur krizën që ka përfshirë vendin.

Ai tha se masat për armëpushim mund të kenë sukses si rrjedhojë e qëndrimit të përbashkët të regjimit dhe rebelëve sa i takon rrezikut nga militantët e ISIS-it.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ngritjen e “zonave të ngrira”, me qëllim ndalimin e luftimeve dhe përmirësimin e procesit të shpërndarjes së ndihmave.

“Të thuash që kemi një plan paqeje do të ishte shumë ambicioze dhe zhgënjyese, por unë kam një plan veprimi dhe ky plan nis nga terreni: ndalimi i luftimit dhe reduktimi i dhunës”, ka thënë De Mistura.

Më herët, presidenti Assad deklaroi se qeveria e tij po shqyrtonte planin e OKB për një armëpushim në qytetin e Alepos, që është i ndarë mes fraksionit të rebelëve dhe trupave të qeverisë.

De Mistura diskutoi planin në fjalë me zotin Assad në një takim në kryeqytetin Damaskus, në kuadër të vizitës së dytë të të dërguarit të OKB-së në vend që nga caktimi i tij në korrik.

Mbi 200 mijë persona kanë humbur jetën në Siri si pasojë e luftës së copëzuar civile, që tashmë ndodhet në vitin e katërt.

Grupet rebele si ISIS dhe Al Nusra kanë zhvilluar së fundmi luftime kundër njëri-tjetrit dhe po ashtu edhe kundër forcave besnike të presidentit Bashar al Assad.

Konflikti u zgjerua më shumë këtë vit me ndërhyrjen e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka bombarduar objektivat e ISIS.

Top Channel