Kore e Jugut, 36 vjet burg kapitenit të tragetit

11/11/2014 00:00

Kapiteni i tragetit koreano-jugor që në muajin prill u mbyt duke u marrë jetën 300 personave është shpallur fajtor për “neglizhencë të madhe” nga gjykata dhe është dënuar me 36 vjet burg.

Në momentin që u fundos, në traget ndodheshin 476 persona. Kapiteni Lee Joon seok ishte mes 15 anëtarëve të ekuipazhit që u gjykuan lidhur me ngjarjen, ndër më të rëndat në historinë detare të Koresë së Jugut.

Prokurorët e akuzuan atë për vrasje dhe kishin kërkuar dënimin me vdekje, por gjyqtarët e hodhën poshtë këtë kërkesë. Kapiteni Lee, pranë të 70-ave, pranoi në sallën e gjyqit që të kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg.

Gjyqtarët vlerësuan se nuk ishte e qartë nëse ai ishte i vetmi person përgjegjës për tragjedinë dhe pranuan se neglizhenca e tij nuk kishte si qëllim vdekjen e pasagjerëve.

Ekuipazhi i tragetit nuk i siguroi udhëtarët dhe kur mori një kthesë të ngushtë, mjeti u përmbys dhe Lee u filmua teksa linte tragetin ndërsa pasagjerët kishin mbetur brenda. Gjatë procesit kapiteni kërkoi falje që i kishte braktisur ata.

Kryeinxhinieri i tragetit, i identifikuar me mbiemrin Park, u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me 30 vjet burg. 13 anëtarët e tjerë të ekuipazhit morën dënime deri në 20 vjet nën akuzën e braktisjes së mjetit dhe shkeljes së ligjeve detare.

Familjarë të viktimave mbetën të hetuar nga vendimi, me disa prej tyre që u përlotën, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Një grua thuhet se klithi në sallën e gjyqit: “Nuk është e drejtë. po jetët e fëmijëve tanë? Ata (të pandehurit) meritojnë më keq se vdekja”.

Edhe të afërm të tjerë u rebeluan duke kërkuar një dënim më të rëndë, me pretendimin se ishte neglizhenca e ekuipazhit që vrau njerëzit e tyre.

Top Channel