Liderët e APEC mbështesin propozimin e Kinës

11/11/2014 00:00

Liderët e vendeve të Azisë dhe Paqësorit, të cilët janë takuar në Pekin, kanë rënë dakord për të avancuar projektet për një zonë tregtie të lirë, të mbështetur fuqishëm nga Kina.

Zona e Tregtisë së Lirë Azi-Paqësor shihet nga disa ekspertë si një marrëveshje rivale ndaj paktit të tregtisë të Shteteve të Bashkuara, që përjashton Kinën.

Duke njoftuar krijimin e një udhëzuesi në samitin e APEC-ut, lideri kinez Xi Jinping e cilësoi dakordësinë si një “hap historik”. Gjithashtu, më herët ai u bëri thirrje këtyre vendeve që të intensifikojnë lidhjet ekonomike.

Aktualisht Shtetet e Bashkuara po negociojnë për një Partneritet Ndër-Paqësor të veçantë, që konsiderohet si pjesë e boshtit të Uashingtonit drejt Azisë, për të siguruar vazhdimin e influencës amerikane në rajon, si përgjigje ndaj rritjes së fuqisë së Kinës.

Ky partneritet përfshin 12 vende, por jo Kinën dhe Rusinë. Megjithatë, presidenti Obama ka hedhur poshtë komentet në mediat kineze se projekti është një formë për t’i bërë kontrast influencës së Pekinit.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Xinhua”, ai tha se Shtetet e Bashkuara në asnjë mënyrë nuk po përpiqen të frenojnë Kinën.

Liderët e APEC, grupi me 21 vende anëtare, pritet të kryejnë një studim dyvjeçar lidhur me marrëveshjen për zonën e tregtisë së lirë.

“Aktualisht rimëkëmbja e ekonomisë globale përballet ende me shumë pengesa, paqëndrueshmëri dhe mungesë sigurie”, deklaroi më herët lideri kinez.

“Përballë kësaj situate, ne duhet të promovojmë integrimin ekonomik rajonal dhe të krijojmë një model që çon drejt një zhvillimi afatgjatë”, shtoi Xi.

Top Channel