Thaçi: Përgëzoj Ramën për vizitën

11/11/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar për herë të parë vizitën e kryeministrit Rama në Beograd dhe deklaratën e tij lidhur me njohjen e Kosovës së pavarur.

“Përgëzoj homologun Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe për solidaritetin që dëshmoi për bashkombasit tanë në Luginën e Preshevës”, është shprehur Thaçi përmes një postimi në Facebook.

“Uroj që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajo dhe sinqeritet, pasi dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabiltet të qëndrueshëm në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi.

Më tej kryeministri i Kosovës ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke i cilësuar si pika që hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy popujve.

“Dua të përshëndes vizitën e rëndësishme të kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, duke e vlerësuar këtë takim dypalësh si një hap të frytshëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve dhe në krijimin e një klime të fqinjësisë së mirë për mbarë Ballkanin”, është shprehur Thaçi.

“Besoj se kjo vizitë historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit po shënojnë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve”, ka vijuar më tej ai.

Top Channel