Cani: Taksat e imponuara nga FMN

11/11/2014 00:00

Një ditë pas kërkesës së biznesit për të mos rritur taksat, ka ardhur përgjigjja e qeverisë. Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se këto masa janë të diktuara nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe detyrimi për uljen e borxhit publik.

Kreu i financave tha se të treja taksat që rriten, ajo e naftës, tatimi mbi të ardhurat dhe akciza e cigareve janë dakortësuar tashmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ça kemi rënë dakort me FMN quhen të dakortësuara dhe do të jetë shumë e vështirë për ne që të ndërrohet. Për të gjitha të tjerat jemi të hapur për t’i parë gjatë vitit 2015, por me kusht kur nuk kanë efekte të ndjeshme në buxhet”, tha Cani.

Zoti Cani bëri publike edhe se nga erdhi propozimi për heqjen e akcizës mbi pijet energjike, një masë që është kundërshtuar fort, jo vetëm nga biznesi.

Shkëlqim Cani, Ministër i Financave: Heqja e akcizës së pijeve energjike, propozim i grupeve të biznesit, i Ambasadës Austriake dhe i mbështetur nga qeveria.

Erjon Braçe, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë: Nuk e kuptova këtë historinë që ambasada e një shtetit të huaj kërkon një politikë taksash, sepse kam tabelën përpara dhe shikoj që në atë shtet tarifat që paguajnë për pijet energjike janë këto; 5.4 përqind e vlerës plus 21 euro për 100 kilogram dhe mbi këtë edhe 10 përqind tarifë tjetër për shitje.

Prishja e shërbimeve monopol
Cani premton ndërhyrjen në konçesionet e pullave dhe kasave

Veç taksave një tjetër kërkesë e artikuluar fort nga biznesi është edhe lehtësimi nga kostot e konçesioneve, veçanërisht atij të pullave fiskale dhe kasave.

Erjon Braçe: Nuk ka pse një qeveri e cila e ka kundërshtuar nga fillimi deri në fund, që në fazën e procedimit të tyre këto konçesione, të vazhdojë të ngarkojë biznesin me një barrë që nuk i shkon fare shtetit. Shkon e gjitha në xhepat e këtyre zotërinjëve, e përsëris, të Sali Berishës.

Ministri Cani: Është Avokatura e Shtetit që i ka marrë çështjet në shqyrtim të gjitha. Pra kemi ecur paralel drejt fazës finale. Të shohim kur qeveria të marrë vendimin, besoj do të jetë çështje e shpejtë, unë mund të flas më gjërë e më gjatë se çfarë kemi arritur lidhur me këtë çështje.

Kreu i financave tha se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për të dyja.

Top Channel