Çmimi i Mirënjohjes për Ezio Greggio

11/11/2014 00:00

Prezantuesi televiziv dhe aktori e regjisori  i njohur italian Ezio Greggio mori pjesë në natën e ndarjes së çmimeve në “Tirana International Film Festival”, ku ai u nderua me çmimin e Mirënjohjes për promovimin e aseteve kinematografike në Shqipëri, me qëllim sjelljen e produksioneve të huaja që janë të interesuara për shfrytëzimin e pejsazheve dhe studiove shqiptare.

Në një intervistë për Top Channel, ai rrëfeu për projektet e tij në Shqipëri.

Riktheheni në Shqipëri brenda një kohe të shkurtër. Është shenjë afeksionimi me vendin tonë apo keni projekte këtu? Apo të dyja bashkë?

Të dyja bashkë. E para sepse zbulova këtu në Shqipëri se kam shumë fansa. Ndjehem si në shtëpi. Kur vij në Tiranë dhe dal rrugëve, takoj shumë njerëz që shikojnë “Striscia la Notizia” apo që kanë parë filmat e mi në televizor ose kinema. Ka shumë dashamirësi që më jep një emocion të madh. Pastaj ka edhe disa gjëra në mes. Po vëmë në zbatim nja dy projekte që do t’i realizojmë këtu sepse zbulova që keni një studio të madhe, ish-Kinostudio, që është shumë e bukur. Ka shumë entuziazëm, mora pjesë në TIFF ku më dhanë këtë çmim dhe i falenderoj. Besoj se Shqipëria i ka të gjitha të drejtat për t’u përhapur në nivel ndërkombëtar përsa i përket kinematografisë. Prandaj unë do të çoj Shqipërinë në Festivalin tim të 12 të filmit të Montekarlos, që do të zhvillohet në fund të shkurtit. Do të seleksionojmë një komedi këtu në Shqipëri dhe do ta çojmë në festival duke shpresuar që të fitojë çmime.

Sa i përket projekteve tuaja, mund të hyjmë më në detaje?

Para së gjithash dua të falenderoj Presidentin e Republikës që më priti. Patëm një bisedë të gjatë. Folëm për kinemanë, televizionin, kulturën. Mora edhe një impenjim. Do të mundësoj disa bursa studimi për studentët e kinemasë. Presidenti ishte në dijeni edhe të aktivitetit tim të bamirësisë në Itali. Kam ndihmuar 70 spitale pediatrike në 20 vitet e fundit. Kemi ndihmuar që të lindin rreth 600 mijë fëmijë në vendin tonë. Një tjetër impenjim që kam marrë është ai për të ndihmuar pediatrinë neonatale shqiptare. Së shpejti do të bëj një donacion. Pastaj edhe një iniciativë tjetër për të ndihmuar shqiptarët e vegjël, që ndonjëherë lindin para kohe dhe kanë probleme. Pastaj, sa i përket projekteve: kinema dhe televizion. Po shkruajmë një film artistik, të cilin duam ta prodhojmë këtu në Shqipëri. Shpresoj t’ja arrijmë. Po shkruaj edhe një histori të bukur filmi me dy autorë italianë. Një histori shumë e bukur, dramatike, do të provoj të bëj një film dramatik. Edhe për këtë film do të më pëlqente që një pjesë të tijin ta xhiroja këtu.

Projekte televizive këtu?

Sa i përket televizionit… më pas do ta mendoj. Për momentin bëhet fjalë për kinema dhe “fiction”.

Top Channel