Strasburgu: Jo turizmit përfitues

11/11/2014 00:00

Gjykata Europiane e Drejtësisë ka bërë të ditur se vendeve anëtare të saj iu jepet e drejta të refuzojnë dhënien e ndihmave financiare ndaj shtetasve të papunë nga BE, të cilët lëvizin drejt atyre vendeve vetëm sa për të përvetësuar këto përfitime.

Gjykata i dha të drejtë Gjermanisë në mohimin e asistencës së një gruaje rumune të papunë për shkak se personi në fjalë as që kishte tentuar ndonjëherë të punësohej.

Vendimi ndaj të ashtuquajturës “përfitime nga turizmi”, që ka lidhje me një çështje në Gjermani, mund të vendosë kështu një precedent ligjor për pjesën tjetër të BE-së. Ai mund të lejojë Britaninë e Madhe të përjashtojë disa emigrantë nga përfitime specifike.

Zyrtarë të “Downing Street” e kanë mirëpritur këtë vendim, duke thënë se është tërësisht në mbështetje të pozicionit që po mban kryeministri britanik, David Cameron.

Qeveria ka forcuar tashmë rregullat, duke bërë që emigrantët nga BE të presin 3 muaj nga mbërritja e tyre në Britani, përpara se të mund të marrin përfitime për fëmijët dhe ulje të taksave për emigrantët me fëmijë.

Emigrantët janë të ndaluar gjithashtu të përfitojnë nga kompensimet gjatë statusit të punëkërkuesit pas 3 muajsh, nëse ata nuk do të kërkojnë vërtet për punë.

Kryeministri tha se kërkon të shkojë edhe më tej me planet e tij, të cilat do t’i bëjë të ditura në një fjalim përpara këtij fundviti, kjo edhe për shkak të presionit nga deputetë konservatorë të Parlamentit, për të vepruar.

Qeveria britanike, e cila ka qenë në përplasje me Gjykatën Europiane të Drejtësisë në të kaluarën, e ka lavdëruar këtë vendim si një provë se Britania dhe Gjermania janë duke ndjekur “të njëjtin drejtim” kur bëhet fjalë për abuzimet me përfitimet, si dhe mund t’i hapë rrugën kufizimeve të tjera gjatë muajve të ardhshme.

Top Channel