Merkel: Jo sanksione të tjera Rusisë

11/11/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur këtë të martë se nuk ekzistojnë plane aktualisht për të përshkallëzuar sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, prej Ukrainës, por theksoi se ishte e pakënaqur, që marrëveshja për armëpushim është shkelur dhe se rebelët prorusë implementuan planet e tyre për zgjedhje.

“Nuk jemi të kënaqur me situatën bazuar mbi marrëveshjen e Minskut, pasi pjesë të konsiderueshme të atij armëpushimi janë duke u shkelur, në vend që të implementoheshin”, tha ajo, duke shtuar se armëpushimi dhe respekti për kufijtë e Ukrainës janë anashkaluar ndjeshëm.

Kancelarja tha se do të flasë me Presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe me atë rus, Vladimir Putin, si dhe ritheksoi synimet e saj për të zgjeruar ndalimin e udhëtimeve në Bashkimin Europian edhe për zyrtarët e rinj separatistë, të sapozgjedhur në Ukrainën lindore.

“Përveç kësaj, sanksione të mëtejshme ekonomike nuk janë duke u planifikuar për momentin. Kjo pasi ne jemi fokusuar te situata humanitare dhe te stina e dimrit, por edhe te mënyra se si mund të arrijmë deri në një armëpushim të vërtetë”, tha ajo.

Top Channel