Rama kthehet nga Kosova

11/11/2014 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka kaluar në këmbë kufirin mes Serbisë dhe Kosovës në pikëkalimin Dheu i Bardhë në Kamenicë rreth orës 15:00.

Në pjesën e territorit të Republikës së Kosovës, kryeministri shqiptar është pritur si hero nga qindra qytetarë që mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe mbishkrime me emrin e Edi Ramës.

Kryeministri me këtë rast ndaloi për pak çaste dhe përshëndeti turmën e mbledhur për të vazhduar pastaj me eskortën e tij përmes Gjilanit në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit të tij në territorin e Kosovës, Kryeministri Rama ndaloi në Prizren për një drekë jozyrtare me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Rruga magjistrale nga pika kufitare Dheu i Bardhë e deri në Prizren ishte në shumë vende e dekoruar me flamuj shqiptarë, amerikanë dhe të Kosovës, ndërsa për çdo kilometër ndodheshin nga dy policë të Kosovës.

Për vizitën e kryeministrit Rama në Serbi të martën ka pasur një reagim edhe nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka përgëzuar homologun Rama për qëndrimin që mbajti në Beograd lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë-Beograd si dhe për solidaritetin që dëshmon për bashkombasit e Luginës së Preshevës.

Duke e cilësuar vizitën e Ramës në Serbi si historike, Thaçi ka thënë ajo do të shënojë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve.

Top Channel