NATO, e shqetësuar për aktivitetin rus në Ukrainë

11/11/2014 00:00

NATO ka shprehur sërish shqetësimin e saj për futjen e autokolonës me kamionë të mbushur me furnizime dhe artileri në lindje të Ukrainës nga Rusia, si dhe dëshiron të shohë në praktikë respektimin e kufijve ndërkombëtarë, sipas asaj që ka thënë komandanti më i lartë i aleancës gjatë së martës.

Ukraina i është përgjigjur një raporti të së dielës nga OSBE (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë) duke akuzuar Rusinë për dërgimin e një karvani prej 32 tankesh dhe kamionësh të mbushur me trupa ushtarakë, në ndihmë të rebelëve prorusë që kontrollojnë dy enklava në Ukrainën lindore.

Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat se trupat e saj janë duke operuar në Ukrainë, edhe pse shumë prej tyre në fakt kanë vdekur atje, ndërkohë që askush prej OSBE-së apo komandanti i NATO-s, Gjenerali Philip Breedlove (njëkohësisht edhe kreu i Forcave Ajrore amerikane), nuk e kanë akuzuar Rusinë drejtpërdrejtë.

“Materiale, pajisje, armë të rënda, furnizime të ndryshme vijojnë të futen në Ukrainën lindore. Një fluks i madh është parë gjatë ditëve të fundit”, tha Breedlove në një intervistë për Reuters dhe media të tjera, në një bazë të NATO-s pranë Napolit. “Jam i shqetësuar për këtë lëvizje gjithnjë e në rritje”.

Ai nxiti palët në konflikt “t’u rikthehen normave që respektohen në qytetarinë perëndimore, apo konkretisht që kombet të respektojnë kufijtë ndërkombëtarë”.

OSBE tha se kishte pikasur një autotokolonë mjetesh të blinduara të paidentifikueshme, të cilat ndodheshin në territorin e rebelëve dhe që mbanin trupa me uniforma ushtarake por pa shenja identifikuese. Kievi tha se ata ishin përforcime ruse të dërguara në mbrojtje të enklavave, që Kremlini i konsideron tashmë si “Rusia e re”.

Breedlove tha se armëpushimi i Minskut “tashmë është thjesht një emër”. “Dhuna vazhdon të rritet dita-ditës”, tha ai, duke shtuar se numri i trupave ruse brenda kufijve të Ukrainës lindore, të cilët ndihmojnë dhe stërvisin forcat rebele të përdorin armatime të sofistikuara, janë rritur bindshëm nga shifrat e para prej 250-300 vetësh.

Breedlove tha gjithashtu se Rusia vazhdon të mbajë rreth 8 batalione trupash pranë kufirit me Ukrainën, si dhe ka transferuar forcat e afta për të transportuar armë bërthamore në rajonin e Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar nga Ukraina në muajin mars.

“Nëse ato janë armë bërthamore apo jo, ne nuk e dimë”, tha Breedlove. “Por kemi parë ndërveprime nga ajri dhe nga toka të rritura së tepërmi krahasuar me të kaluarën, kur kishim lëvizje të vetëm 1 apo 2 bombarduesve”, përfundoi Gjenerali amerikan.

Top Channel