Gjykata e Apelit rrëzon padinë e Ylli Pangos

11/11/2014 00:00

Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesë-padinë e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango i cili prej gjashtë vitesh kërkonte dëmshpërblimin prej 1 milionë euro nga Top Channel me pretendimin se ‘i ishte cënuar privatësia’ në rastin e video-skandalit të publikuar në “Fiks Fare”.

Gjyqtarët e Apelit, Metush Saraçi, Gjin Gjoni dhe Hysni Demiraj thanë se qendron në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë i cili në mars të këtij viti kishte hedhur poshtë padinë e Pangos, duke deligjitimuar në këtë mënyrë edhe gjobën prej 400 mijë eurosh të vendosur katër vjet më parë nga gjyqtari Agim Bendo.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i formës së prerë dhe i jep përgjigjje odisesë 6-vjeçare në gjyqësor, pas skandalit ku ish-zyrtari i lartë shfaqet duke kërkuar favore nga një vajzë që ishte në kërkim të një vendi pune.

Në vitin 2010 gjyqtari Agim Bendo dha një vendim për gjobitjen e Top Channel me 400 mijë euro, por dy shkallë të tjera gjykimi, Apeli dhe Gjykata e Larte e shfuqizuan vendimin e Bendos si të paargumentuar në ligj dhe kërkuan rishqyrtimin e çështjes sërish në Shkallën e Parë.

Për këtë arsye, marsin e kaluar Gjykata e Shkallës së Parë, pasi e rimori në shqyrtim çështjen rrëzoi kërkesë-padinë e Pangos për t’u dëmshpërblyer, duke bërë nul në këtë mënyrë edhe gjobën e famshme të Bendos prej 400 mijë eurosh.

Në vendimin që konsideron palë fituese Top Channel, Gjykata e Apelit është bazuar edhe tek praktika e Gjykatës së Strasburgut , gjykatë e cila ka dhënë vendime për balancën mes privatësisë dhe jetës së funksionarëve publikë, e siç del në rastin “Pango” peshorja rëndon mbi të drejtën e publikut për t’u informuar.

Top Channel