Nxënësit, sa të zellshëm për detyrat e shtëpisë!

11/11/2014 00:00

Për shumë familje, “detyrat e shtëpisë” janë një burim stresi i vërtetë. Studime, të realizuara në vende të ndryshme të botës, kanë treguar se sido që të organizohet orari i detyrave të shtëpisë, ato sërish do të mbeten ndër aktivitetet më të papëlqyera për fëmijët. Po në këndvështrimin e fëmijëve, pse detyrat janë kaq të padëshiruara?

“Momenti kur bëhem gati për t’u ulur duket i mërzitshëm dhe pambarim, por edhe kënaqësh. Detyrat janë një gjë, që edhe të mësojnë, por edhe të detyrojnë t’u rrish larg lojërave, që të mos tërbohemi”.

“Me zor ulem, nuk i kam shumë me qejf, por them se duhen bërë. Nuk më pëlqejnë sepse, të them të drejtën, jam pak përtac”.

“Detyrave të shtëpisë i përkushtohem 1 orë maksimumi. Shpesh arrij t’i përfundoj të gjitha. Më shumë i përkushtohem gjërave të tjera, si kompjuteri”.

Nga bisedat me mësuesit, por edhe nga intervistat me nxënësit, kupton se mosha është një element i rëndësishëm. Nxënësit e fillores, pavarësisht lodhjes, duket se i pëlqejnë më shumë detyrat, se sa nxënësit e klasave të mësipërme.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e tyre i bëjnë mësimet vetëm dhe, kur kanë nevojë për ndihmë, u thërrasin prindërve ose motrës më të madhe.

“Zakonisht është motra që më ndihmon për mësimet. Ajo është më e madhe, bëjmë ndonjë fjalë deri sa ulem, sepse më thotë nga do vesh, ulu bëj detyrat, por prap më ndihmon”.

“Detyrat i bëj vetëm, ndërsa në fund m’i kontrollon mami”.

Nga ana tjetër, është shumë i rëndësishëm edhe roli i mësuesve, të cilët duhet të kujdesen që të mos ua bëjnë të bezdisshme detyrat. Donika Gjini, mësuese prej 36 vitesh, tregon se përpiqet t’u japë detyra sa më argëtuese.

“Përpiqem që detyrën ta bëj pak më të thjeshtë për t’u zbatuar. Pse jo t’i integroj pak edhe me lëndët e tjera, si vizatimi, ilustrimi. Ka shumë mënyra për ta bërë të dashur detyrën, por gjithmonë pa kaluar në mbingarkesë, sepse kjo është një ndër shkaqet që e bëjnë fëmijën të mos e dojë detyrën e shtëpisë, të mos dojë shkollën”, thotë Donika Gjini.

Edhe pse mund të duket e vështirë, në fakt ka mënyra, të cilat u zgjojnë fëmijëve dëshirën për të bërë detyrat.

Si t’i motivosh fëmijët për detyrat e shtëpisë

– Krijoni mjedisin e duhur dhe një program për bërjen e detyrave të shtëpisë!
– Vendosni një sistem shpërblimi!
– Vëreni veten në vendin e fëmijës!
– Mos i krahasoni ata me shokët e tij!
– Komunikoni vazhdimisht me mësuesin e fëmijës suaj!
– Nëse ka rënie në rezultate, përpiquni të kuptoni se çfarë ka fëmija juaj!
– Krijoni aktivitete jashtëshkollore!
– Tregojuni dashuri, pavarësisht rezultateve!

Top Channel