Disa shifra mbi diabetin, në Shqipëri dhe në botë

11/11/2014 00:00

Sëmundja “e ëmbël” dhe “e heshtur” e diabetit mbetet shqetësuese, e po përhapet me ritme masive. Çdo vit, numri i personave me diabet në vendin tonë rritet me rreth 3000, e këtu nuk përfshihen personat e padiagnostikuar. Aktualisht në Shqipëri janë rreth 65.000 diabetikë.

Florion Toti, kryetar i Shoqatës së Diabetit, ndan shqetësimin se çdo ditë e më shumë kjo sëmundje po prek të rinj në moshë.

“Ajo që po ndodh është se sot po diagnostikohen shumë më tepër mosha të reja me diabetin tip 2, ai që dikur quhej si diabeti i të rriturve. Ky lloj diabeti po haset sot në moshat 20-30 vjeçare, por ka edhe raste në moshë fëminore, ndaj dhe ky është problemi më i madh. Në rastin e diabetit tip 1, në njëfarë mënyre personi është i predispozuar që do të bëjë këtë tip diabeti dhe, në një moment të caktuar kur përputhen edhe faktorë të tjerë, diabeti shpërthen. Ndërsa për diabetin tip 2 ne kemi shumë në dorë për ta parandaluar. Ne po hasim sot persona me këtë diabet, që nuk kanë anamnezë familjare për diabet. Pra ndryshimi i mënyrës së jetesës së tyre ka sjellë që të shfaqet diabeti”, thotë Florion Toti.

Kjo është java në të cilën po zhvillohen aktivitete, që synojnë veçanërisht evidentimin e të sëmurëve me diabet, ndërsa fokusi kryesor i shoqtatave të diabetit e komunitetit shëndetësor do të jetë “Ushqyerja e shëndetshme”.

“Ne kemi filluar një fushatë sensibilizimi dhe depistimi në disa nga rrethet kryesore të Shqipërisë. Në datën 6 kemi qenë në qytetin e Fierit, më 7 në Korçë, më 10 n Lezhë, sot shoqata është në Shkodër, më 12 do të jetë në Elbasan, ndërsa të enjten më 13 në Durrës, ndërsa më 14 në Tiranë, e cila është edhe salloni i diabetit dhe ku ofrohen jo vetëm matje falas glicemie, por edhe informacione në lidhje me dietën dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës dhe me medikamentet e reja që janë për diabetin. Ajo që po vëmë re është se, edhe në depistimet që ne po organizojmë nëpër qytete të ndryshme, kuptohet që pjesa më e madhe e të depistuarve janë të grupmoshave 65 vjeç e sipër, por po na shtohet grupmosha 40-65 vjeç, e cila po sensibilizohet. Kjo është një gjë e mirë, sepse njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se thjesht duke bërë një matje glicemie, të paktën mund të heqësh dyshimin nëse ke apo jo diabet”, shtoi më tej Florion Toti.

Diabeti prek rreth 5 përqind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në të gjithë botën jetojnë 382 milionë njerëz me diabet, ndërsa 316 milionë njerëz janë aktualisht në rrezik të lartë për zhvillimin e diabetit tip 2.

Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%. Në çdo 10 sekonda, në botë shtohen dy njerëz të tjerë me diabet dhe çdo 10 sekonda vdes një njeri, nga shkaqe që lidhen me diabetin.

Ja disa mite dhe të pavërteta mbi diabetin

1. Diabeti prek vetëm njerëz të moshuar
E pavërtetë! Diabeti prek të gjitha grupmoshat.

2. Diabeti nuk është një sëmundje vrasëse
E pavërtetë! Diabeti është një vrasës global, që “konkuron me HIV-AIDS” në nivel vdekshmërie. Çdo 10 sekonda, një person vdes nga shkaqe të lidhura me diabetin.

3. Diabeti nuk mund të parandalohet
E pavërtetë! Në 80% të rasteve, diabeti i tipit 2 mund të parandalohet duke mbajtur dietë, duke kryer aktivitet fizik dhe duke pasur një stil të shëndetshëm jetese. Madje, parandalimi nuk ka kosto të lartë!

4. Diabeti prek vende të pasura
E pavërtetë! Diabeti prek gjithë popullsinë dhe po përhapet me shpejtësi kudo, pa bërë përzgjedhje.

5. Kurimi i diabetit nuk ka kosto të lartë
E pavërtetë! Trajtimi ka kosto dhe është i kushtueshëm për çdo sistem shëndetësor.

Top Channel