Vështirësitë e përditshme të djalit pa duar

11/11/2014 00:00

Në njërën nga klasat e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë është vendosur një tavolinë e veçantë për nxënësin e klasës së nëntë, Arijon Krasniqi.

Mungesa e dy duarve nuk ka qenë asnjëherë pengesë, që ai të jetë ndër nxënësit më të mirë në shkollën e tij.

Madje, shkrimi i Arijonit, edhe pse me këmbë, është më i bukur e më i lexueshëm se i shumicës së nxënësve të tjerë.

Edhe pse shkolla ka klasë të ndarë për nxënësit me aftësi të kufizuara, Arijoni ka vijuar mësimin me nxënësit e rregullt falë zgjuarsisë së tij.

“Ai falë zotësisë ka kaluar në klasën e rregullt dhe është një nxënës i shkëlqyer, me të cilin mburremi edhe ne. Ndonëse është pa duar, por me shkrimin e tij na e kalon edhe ne të tjerëve që i kemi duart”, shprehet Januz Mazreku, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, Malishevë.

Ai që i dha mësimet e para është mësuesi Adem Hoti, i cili i kushtoi shumë kohë e vëmendje Arijonit.

“Në fillim kemi pasur vështirësi, por më pas dalëngadalë kemi kaluar shumë mirë. Vështirësitë kanë qenë për faktin se duhej t’i kapnim këmbët, pasi dilte jashtë vijave të ngushta, mirëpo me punën dhe angazhimin tim gradualisht arrita ta mësoja që të shkruante brenda vijave. Në orën e edukatës fizike, kur kemi luajtur, jam angazhuar dhe kam hyrë në lojë edhe unë bashkë me Arijonin. Kam vrapuar ngjitur me të, në mënyrë që të mos haste ndonjë pengesë e të rrëzohej”, deklaron Adem Hoti, mësuesi i parë i Arijonit.

Arjonit nuk i mungon as përkrahja e shoqërisë.

“Më duket se ai mëson më shumë se ne”, thotë një shoqe e tij. “Jo më duket, por Arijoni mëson më shumë se ne”, konfirmon një shok klase i tij.

Shoqja e pandashme e klasës, që për 9 vjet e ka ndihmuar, është vetë motra e Arijonit.

“Arijonin nuk e kam vetëm si vëlla, por e kam si shok, si gjithçka. Ai i di gjërat shumë më mirë se sa unë”, thotë e motra Qelebie Krasniqi.

Edhe në shtëpi, Arijoni është pothuajse tërësisht i pavarur. Ushqehet me këmbë, madje përdor edhe rrjete sociale në laptopin e tij, që iu dhurua si donacion.

Vizatimi e piktura janë pasione të Arjonit, që po ashtu i realizon me këmbë.

“Jo, nuk kam aspak vështirësi. Nuk më pengon asgjë”, shprehet Arijon Krasniqi.

Ndërsa vendosja e protezave, që mund të bëhet vetëm jashtë Kosovës, ka kosto prej 45 mijë deri në 70 mijë euro, shumë të cilën familja nuk ka mundësi ta paguajë.

Top Channel