ISIS, SHBA dislokon 50 trupa në Anbar

11/11/2014 00:00

50 trupa amerikane janë dislokuar në një bazë ajrore në provincën e trazuar irakiane të Anbarit, për të ndihmuar luftën kundër Shtetit Islamik. Nga sa pohohet në Pentagon, ushtarët do të kontrollojnë objektet e zonës e do të përgatisin mbështetjen për forcat irakiane.

Edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël trupash, zhvendosja në vetvete përbën të parën herë, që Amerika dërgon ushtarë në këtë zonë, pas fillimit të ofensivës ajrore kundër ISIS-it në muajin gusht.

Zyrtarisht, forcat amerikane janë larguar nga Iraku në 2011-n, por shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama, njoftoi javën e kaluar se do të dërgonte në këtë vend një personel ushtarak prej 1.500 personash, të cilët do të kenë rol këshillues.

Anbari është aktualisht pothuajse i gjithi nën kontrollin e xhihadistëve të Shtetit Islamik, ndërsa më parë ka qenë një fortesë e al-Kaedës në Irak dhe vatër e rezistencës gjatë viteve të konfliktit, që pasoi pushtimin e 2003-shit.

Sipas zëdhënësit të ushtrisë amerikane, Kolonel Patrick Ryder, edhe pse trupat e dërguara së fundi në këtë provincë po veprojnë me kapacitet këshillimor, ata do të luftojnë e do të mbrohen në rast se bëhen pre e sulmeve.

“Një pjesë e grupit përbëhet nga personel i një force mbrojtëse dhe çdo armë, që kanë në zotërim ushtarët amerikanë, është në funksion të vetëmbrojtjes nëse sulmohen prej militantëve”, tha Kolonel Patrick Ryder, zëdhënës i ushtrisë amerikane.

Ndërkohë, kundër ISIS-it po punohet edhe në një rrafsh tjetër. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar vendeve aleate t’i kundërvihen fushatës propagandistike të Shtetit Islamik, e cila sipas ekspertëve ka ndikim të madh në Lindjen e Mesme.

Edhe pse mposhtja e ektremistëve në fushën e betejës konsiderohet si mënyra më e mirë për të gëzuar admirimin dhe përkrahjen e popullatës, zyrtarët amerikanë janë të mendimit se partnerët e tyre në koalicionin anti-ISIS duhet t’i kundërvihen me forcë kësaj ideologjie dhe të ofrojnë një botëkuptim alternativ.

Ekstremistët kanë përdorur gjerësisht platforma mediatike si “YouTube” dhe “Twitter”, për të përhapur propagandën e tyre. Teknikisht, ISIS-i është një organizatë shumë kompetente, kudo e pranishme dhe me një ndikim real, dhe videot janë mënyra e xhihadistëve për të reklamuar fitoret e tyre dhe për të frymëzuar masat, në mënyrë që të rekrutojnë luftëtarë të rinj.

Top Channel