Që në orët e para të së martës me mijëra shqiptarë mbushën sheshin e Preshevës për të pritur Edi Ramën në vizitën e tij të parë si Kryeministër i Shqipërisë. Kudo ne shesh valviteshin flamuj kombëtarë nga banorët e zonës që nëse do ta kishin bërë në një rast tjetër do të dënoheshin nga autoritetet serbe.

Delegacioni shqiptar nën masa të forta sigurie ka mbërritur 50 minuta me vonesë. Ndërkohë që autobusi me gazetarë shqiptarë që shoqëronte Kryeministrin është bllokuar në autostradë nga policia serbe pak kilometra larg Preshevës për më shumë se 30 minuta.

Ndalesa e parë u bë në Këshillin Komunal të Preshevës i cili më herët në mënyrë unanime shpalli Edi Ramën Qytetar Nderi të Preshevës.

Në ceremoninë e rastit Kryetari Komunës së Preshevës tha se “në 102 vjet shtet shqiptar është hera e parë që vjen Kryeministër shqiptar.

“Duke qënë i vendosur në pozicionin e liderit të shteteve të Ballkanit Perëndimor nga Konferenca e Berlinit prej Kancelares Merkel, gradualisht Shqipëria me hapa të mëdhenj po ecën drejt botës së madhe të Bashkimit Europian”, tha Ragmi Mustafa.

Mustafa duke iu drejtuar kryeministrit shqiptar theksoi se standardi i reciprocitetit si serbët e Kosovës që deklaruat në Beograd është shumë i mirëpritur tek shqiptarët e Luginës. “Ndaj ju falenderojmë”, tha ai.

I emocionuar nga kjo ceremoni Kryeministri Rama do të shprehej: “Jam absolutisht i vetëdijshëm për prapambetjen, për vështirësitë e pazakonshme. Kjo e bën edhe më të madhe barrën e përgjegjësisë që unë ndjej, barrën e përgjegjësisë që ju të gjithë së bashku me ngarkoni duke më bërë këtë nder kaq të posaçëm dhe duke më bërë të ndjehem sot një nga qytetarët e këtyre territoreve”, tha Rama. 

Më pas delegacioni shqiptar i është drejtuar Shtëpisë së Kulturës.

Top Channel