Topi: Vizitë dinjitoze në Beograd

11/11/2014 00:00

Përshëndetja e parë nga një parti opozitare për vizitën dhe qendnrimet e Kryeministrit Edi Rama në Serbi ka ardhur nga Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi, që e ka quajtur atë shkurtimisht “një qendrim dinjitoz”.

Kryetari i FRD-së deklaroi se për çështje të tilla politika shqiptare duhet të jetë e bashkuar, pavarësisht rezervave të brendshme për Kryeministrin Rama.

“Këtu bëhet fjalë për profilin e një Kryeministri të një qeverie shqiptare që në mënyrë dinjitoze zhvilloi një vizitë, që në këndvështrimin tonë është një vizitë që shërben edhe për të diagnostikuar si është ndjeshmëria aktuale e këtyre marrëdhënieve”, tha Topi.

Për ish-presidentin, megjithë atë që quajti “sikletin” e konjukturave të politikës serbe dhe tensionin me të cilën u shoqërua vizita e Edi Ramës atje, ajo pati përfitimet e një politike shqiptare që është shumë herë më e interesuar për marrëdhënie të mira me Serbinë për një arsye.

“Është kujdesi për banorët shqiptarë të Preshevës që për hir të së vërtetës ndër vite duket sikur kanë qenë realisht një zë që vinte nga Lugina. Një zë që kërkonte një ndihmë, një ndihmë për t’u prezantuar”, deklaroi kreu i FRD-së.

Vizita e Kryeministrit në Serbi ishte rasti që Topi të bëjë edhe një panoramë të situatës së shqiptarëve në rajon. Megjithë nënvizimet për avancimin e të drejtave të tyre, ai tha se politikanët shqiptarë duhet të jenë shumë herë më të përgjegjshëm.

Në këtë të fundit ai përmendi krizën qeverisëse të tejzgjatur në Kosovë, atë të përçarjes së partive në Maqedoni e Mal të Zi kur deklaroi se të gjithë politikbërësit shqiptarë të këtyre vendeve duhet të mbajnë parasysh se kanë mbi shpatulla të ardhmen e shqiptarëve.

Top Channel