PD: Buxheti rrit taksat, varfëron njerëzit

11/11/2014 00:00

Opozita e ka kundërshtuar sërish projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2015, duke thënë se ai parashikon vetëm rritjen e taksave në mënyrë progresive dhe, për pasojë, varfërimin e qytetarëve në mënyrë progresive.

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, e konsideroi këtë buxhet si barrierë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Të gjitha taksat mbi të ardhurat, taksat mbi koorporatat, taksat mbi biznesin, rriten në nivelin 15%. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij deklaruan se do të ishin kundër taksës së sheshtë, në të vërtetë vendosën këtë taksë. Lufta ndaj saj ishte thjesht artifica për të rritur nivelin me 50%, apo nga 10% në 15%. Dhe kjo e bën vendin tonë, ekonominë shqiptare, vendin me taksat më të larta në rajon, me përjashtim të Serbisë që e ka në të njëjtin nivel prej 15%. Taksa e qarkullimit të automjeteve, për të dytin vit radhazi rritet – përfshirë edhe efektin e TVSH-së – me 24 lekë për litër. Për secilën prej 340 mijë familjeve do të jetë një taksë e re për vitin 2015, e cila do t’i kushtojë të paktën 1,5 milionë lekë të vjetra në vit dhe këto, sigurisht, janë pjesë nga ai 95 përqindëshi i familjeve, që gjoja do të paguanin më pak taksa me vendosjen e taksës progresive të qeverisë Rama. Kush paguan rritjen e taksave? 94 përqind të taksave shtesë do të paguhen nga mbi 90 përqind e qytetarëve dhe vetëm 6% e kësaj rritjeje do të paguhet nga biznesi. Ky është premtimi i qeverisë Rama për uljen e taksave për 95 përqind të shqiptarëve. Dhe këtu nuk llogariten efektet e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, që rrisin faturën me të paktën 7 mijë lekë të vjetra në muaj, për mbi 74% të familjeve shqiptare. Premtimi se të pasurit do të paguajnë edhe më shumë, ndërsa të varfërit do të paguajnë gjithnjë e më pak, tashmë është tërësisht fals dhe i diskredituar në sytë e opinionit publik”, u shpreh deputeti demokrat, Ridvan Bode.

Top Channel