Dalbesio shkakton debate për “format e mbushura”

11/11/2014 00:00

Në një industri, ku përmasat e trupit femëror sa vjen e tkurren, fushata publicitare e “Calvin Klein”, me protagoniste një modele të konsideruar të mbushur, ka shkaktuar debate të mëdha.

Myla Dalbesio ka vetëm masën “M”, por në pohimin e saj për “Elle.com”, bukuroshja 27-vjeçare tregoi shqetësimin e përjetuar, sepse është më e shëndoshë se të tjerat.

“Nuk është se jam vajza me peshën më të madhe në treg, – thotë Dalbesio, – por kam më tepër kile se të gjitha modelet e tjera, që kanë punuar për ‘Calvin Klein’, ndaj, të them të drejtën, ndihem paksa e frikësuar”.

Fakti që një masë e tillë konsiderohet nga gjiganti i modës si “masë plus” ngjalli menjëherë polemika; në rrjetet sociale – sidomos Twitter, – kanë vërshuar komentet qortuese.

“Hej Calvin Klein, – thotë një prej tyre, – që kur na qenka 10-a masë plus? Sa bukur po i ndihmoni vajzat të krijojnë një imazh pozitiv për trupin e femrës”.

“Modelja plus e Calvin Kleinit – thotë një tjetër, – po më bën të ndihem shumë e pasigurt për veten: unë personalisht jam masë plus, e me këtë logjikë duhet të mendoj se jam XXL”.

Dalbesio është masa 10, madje afron më shumë nga 8-a, ndërsa “size-plus” konsiderohet zakonisht numri 12.

Vetë shtëpia amerikane e modës është treguar e kujdesshme të mos e përdorë fjalën “masë plus” për modelen 27-vjeçare, megjithatë indinjata e publikut mbetet e njëjtë, aq më tepër, kur në të njëjtën intervistë, vetë vajza pohonte: kjo fushatë të brendshmesh më fali një ndjesi shumë të mirë, por që të dal nëpër sfilata do të jetë shumë e vështirë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel