Rusia do të ndërtojë reaktorë të rinj bërthamorë në Iran

12/11/2014 00:00

Rusia ka bërë publik planet e saj për të ndërtuar reaktorë të rinj bërthamorë në Iran. Sipas agjencisë ruse të lajme “Ria-Novosti”, do të ndërtohen 8 reaktorë të rinj “për përdorimin paqësor të energjisë atomike”.

Njoftimi erdhi në një kohë kur negociatat e Iranit me fuqitë perëndimore mbi aktivitetet e tij bërthamore janë drejt përfundimit. Gjithashtu, ky njoftim erdhi vetëm një ditë pas paralajmërimeve të Izraelit që qeveria e Iranit nuk mund të besohet dhe deklaratave nga Uashingtoni se Irani nuk do të lejohet të jetë një shtet me armë bërthamore.

Rusia ka thënë se marrëveshja e saj me Iranin përfshin një plan për të dërguar në Rusi karburantin bërthamor për ripërpunim dhe ruajtje.

Irani dhe Rusia janë nën sanksione nga ana e Perëndimit dhe njoftimi i fundit tregon se Moska nuk ka në plan të ngadalësojë bashkëpunimin e saj bërthamor me Iranin.

Të hënën, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu paralajmëroi Perëndimin se duhet të arrijë sa më shpejt një marrëveshje me Iranin për programin bërthamor, me pretendimin se një marrëveshje e vonuar do të lejojë që Teherani të pajiset me “ndonjë bombë”.

Top Channel