Kanadezja i bashkohet kurdëve kundës ISIS

12/11/2014 00:00

Një femër e lindur në Kanada, që prej vitesh jetonte si emigrante në Izrael është bërë femra e parë që i bashkohet milicive kurde në betejën e tyre kundër ekstremistëve të ISIS-it.

Gill Rosenberg, 31 vjeç, është një pilote e aviacionit civil, e cila para 2009-ës, kur u arrestua për t’u ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku më pas u dënua me 3 vite burg për pjesëmarrje në një skemë mashtrimi në internet, ka qenë pjesë e një njësie ushtarake izraelite të kërkim-shpëtimit.

Rosenberg tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ndodhej në Siri, por refuzoi të komentojë më shumë duke thënë se nuk ka autorizim për të folur më tepër nga zinxhiri komandues i forcave kurde.

Të hënën një radio izraelite transmetoi një intervistë të mëparshme me Rosenberg ku pohonte se ndodhej në Irak ku po stërvitej me forcat kurde dhe më pas do të zhvendosej në Siri për t’u përballur me ISIS.

“Kurdët janë vëllezërit tanë. Janë njerëz të mirë. E duan shumë jetën, ashtu si ne”, deklaronte ajo.

Burime nga forcat kurde pohojnë se Gila, që është emri hebraik i saj, është femra e parë e huaj që i bashkohet radhëve të tyre.

Top Channel