Ulja e ndotjes, marrëveshje SHBA-Kinë

12/11/2014 00:00

Dy ndotësit më të mëdhenj të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina u zotuan të vendosin objektiva të reja mbi emëtimin e gazeve shkaktare të efektit serrë, një lëvizje kjo e cilësuar ‘historike’ nga presidenti amerikan Barak Obama.

Premtimi i tij dhe i homologut kinez, Xi Jinping qe një përmbyllje triumfuese e vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në Kinë pasi përbën të parën herë që dy shtetet pajtohen me përcaktimin e objektivave konkrete.

Obama njoftoi se synimet e Amerikës janë që deri në 2025-n, emëtimi i gazit karbonik të reduktohet 26 apo 28 % krahasuar me nivelet e vitit 2005. Homologu i tij Xi nuk ishte për zvogëlim të qartë të emëtimit, por sqaroi se Pekini kërkon që ky fenomen të mbërrijë pikun rreth 2030-s, ose edhe më përpara në qoftë se është e mundur, e aty të ndalojë.

Edhe kaq konsiderohet një hap i kënaqshëm prej Kinës që deri më tani e kishte refuzuar përcaktimin e një afati kohor mbi pikën kulmore të emëtimeve.  Njoftimi i papritur konsiderohet një përpjekje për të ndihmuar arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare mbi reduktimin e lëshimit të gazeve të dëmshme në atmosferë pas 2020-s. Ujdia pritet të finalizohet vitin që vjen në Francë.

“Ajo për të cilën ramë dakort ishte se duhet të sigurohemi që negociatat mbi ndryshimet klimatike globale do të arrijnë të prodhojnë një marrëveshje në Paris”, deklaroi Presidenti kinez, Xi Jinping.

Dy të ashtuquajturit ‘gjigantë të ndotjes’ prodhojnë së bashku rreth 45% të dioksidit të karbonit në atmosferë. Rivaliteti mes tyre vazhdon të jetë i ashpër në shumë fusha të tjera, por ndryshimet klimatike duket se përbëjnë një çështje mbi të cilën si Kina, ashtu dhe Amerika bien dakort.

Obama u zotua të përshpejtojë reduktimin e nivelit të ndotjes dhe Xi për të parën herë vuri një tavan për emëtimet.  Ky i fundit është nën një presion të madh publik për pastrimin e qyteteve kineze të mbytura nga smogu.

Pyetja që shtrohet tani është sa do t’i përmbushin vërtet të dy vendet objektivat e trumpetuara me kaq forcë?

Top Channel