Juncker mohon të ketë inkurajuar shmangien e taksave

12/11/2014 00:00

I gjendur në pozicion të vështirë, kreu i ri i Komisionit Europian Jean Claude Juncker është detyruar të mohojë akuzat se ka inkurajuar shmangien e taksave në kohën kur shërbente si kryeministër i Luksemburgut.

Në të shkuarën time nuk ka asgjë që të tregojë se kam përkrahur evazionin fiskal, deklaroi Juncker, që frerët e ekzekutivit të BE-së i mori zyrtarisht në fillim të nëntorit.

59-vjeçari është vënë nën një presion prej pretendimeve, se gjatë 18 viteve të tij në krye të qeverisë së Luksemburgut, gati 340 kompani globale kanë përfituar marrëveshje, që i kanë ndihmuar të shmangin taksat.

Sipas BBC-së, Komisioni ka nisur një hetim mbi këtë çështje. Presidenti i KE-së u përball vetëm pak ditë pas marrjes së postit me një raport të gazetarëve investigativë, ku thuhej se kompani si “Ikea” kishin rënë në ujdi me ekzekutivin e tij për të shpëtuar miliona euro taksa, që duhej të paguanin në vende të tjera.

Kryeministri në largim Xavier Bettel pat thënë se të gjitha marrëveshjet e firmosura i përmbaheshin rregullave ndërkombëtare të tatimit.

Vetë Juncker nuk bëri asokohe asnjë koment mbi këtë temë, por në një deklaratë të papritur për shtyp përsëriti sot të njëjtin mesazh në mbrojtje të praktikave të taksave në vendin e tij, duke këmbëngulur se çdo veprim i kryer ka qenë në përputhje të plotë me legjislacionin e brendshëm dhe ligjin ndërkombëtar.

Top Channel